Raporti i policisë: Pesë burra u ndaluan për dhunë ndaj grave brenda 24-orëve.
Policia njofton për gjashtë raste të dhunës dhe kanosjes ndaj grave brenda 24-orëve në Kosovë. Rastet e dhunës kanë ndodhur në Prishtinë, Fushë Kosovë, Podujevë, Klinë dhe Suharekë. Burri që rrahu gruan e tij në Suharekë ëshë liruar.
Siç njofton policia, transmeton Express, dje në Prishtinë është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriore, pasi që i njëjti e ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare me të cilën bashkëjeton.
“I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.
Gjatë ditës së djeshme, në Prishtinë, viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është kanosur me mesazhe përmes telefoni nga bashkëshorti i saj dyshuari mashkull kosovar.
“I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet”, tha policia me anë të raportit 24-orësh.
E një grua në Fushë Kosovë ka pranuar trajtim mjekësor, pasi është sulmuar fizikisht nga burri i saj.
“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet”, njofton policia.
Në Podujevë, është arrestuar i dyshuar mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje duke e shtyrë e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën f/kosovare.
“Viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, vijon raporti i policisë.
Në Suharekë, viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar.
Megjithatë, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, informon policia.
Në Klinë, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare.
“Viktimës iu është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet”, përfundon policia.