Brenda dhjetë ditëve të fundit në Kosovë kanë ndodhur pesë vrasje me armë zjarri.
Më 23 mars, në Vushtrri, një 19-vjeçar u vra, ndërsa dyshohet se autori ka qenë një bashkëmoshatar i tij. Pas arrestimit, autori ka pranuar fajësinë për vrasjen.
Një ditë pas kësaj tragjedie, më 24 mars, një ngjarje tjetër e rëndë ndodhi në Vushtrri, ku një burrë vrau gruan dhe më pas kreu vetëvrasje në fshatin Stanoc.
Në një periudhë prej vetëm 24 orësh, një tjetër tragjedi ka ndodhur në Prishtinë, ku një person i moshës rreth 60 vjeçare ka humbur jetën nga të shtënat e armatosura në rrugën “Rrustem Hyseni”.
Seria e ngjarjeve tronditëse kulmoi mbrëmjen e së martës në Kaçanik, ku një zyrtar policor u qëllua për vdekje me armë zjarri në hyrjen e banesës së tij. Këto ngjarje kanë ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë në vend
Bekë Berisha: Pesë vrasje në dhjetë ditë përbën alarm
Ish-kryetari i Komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, ka shprehur shqetësimin e tij për valën e tragjedive që ka tronditur Kosovën, duke theksuar se pesë jetë të humbura në vetëm dhjetë ditë janë një shifër tronditëse që pasqyron një realitet të hidhur në shoqërinë tonë.
Ai ka theksuar se, megjithëse çdo rast ka motive të ndryshme, të gjitha e kanë një përfundim të përbashkët: tragjedi dhe dhimbje për familjet e viktimave.
‘’Pesë jetë të humbura në vetëm dhjetë ditë është një shifër tronditëse që pasqyron një realitet të hidhur në shoqërinë tonë si Kosovë. Çdo rast dallon dhe dyshohet se ka motive të ndryshme, por me një përfundim të përbashkët: tragjedi dhe dhimbje për familjet e viktimave’’, tha Berisha.
Berisha ka përmendur gjithashtu vrasjen e policit të shtetit, ku dyshohet se dorasi është i ri, duke e lidhur këtë ngjarje me një krizë të thellë shoqërore, ku dhuna është bërë përgjigjja për çdo problem. Ai ka theksuar se kjo situatë nuk është thjesht një statistikë, por një alarm që kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet, shoqëria dhe çdo individ.
‘’Të gjitha këto raste edhe rasti i fundit i vrasjes së një polici të shtetit, ku po dyshohet se dorasi është i ri tregojnë për një krizë të thellë shoqërore, ku dhuna është bërë përgjigjja për gjithçka. Kjo nuk është thjesht statistikë, është një alarm që kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet, shoqëria dhe secili prej nesh’’, tha për FrontOnline Berisha.
Sipas Berishës pa një veprim të shpejtë dhe të vendosur, këto dhjetë ditë të errëta mund të përsëriten.
“Drejtësia duhet të veprojë, edukimi duhet të forcohet dhe ne si shoqëri duhet të refuzojmë dhunën si zgjidhje. Përndryshe, këto dhjetë ditë të errëta do të përsëriten përsëri,” ka përfunduar Berisha.
Elezi për vrasjet e fundit: Kri*mi i organizuar dhe dështimi i institucioneve të drejtësisë po kërcënojnë sigurinë publike
Bedri Elezi, ekspert i sigurisë, ka vlerësuar se performanca e dobët e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë ka çuar në një rritje të pasigurisë publike. Sipas tij, mungesa e koordinimit mes institucioneve të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, si dhe dyshimet për prani të krimit të organizuar brenda institucioneve të drejtësisë, janë faktorët kryesorë që po e dëmtojnë sigurinë.
‘’Ne kemi raste ku grupe të rrezikshme që përfitojnë nga masa si nxjerrja në procedurë të rregullt në njëfarë forme vetë prokuroria dhe gjykata mundësojnë përsëritje të krimit përmes këtyre masave Veprimet që prokuroria dhe Gjykata i kanë a i përket masave siç është mbajtja në arrest apo dënimt merituara janë shkaktarët kryesorë që njerëzit marrin guxim për të kryer vepra penale’’, deklaroi Elezi.
Sipas Elezit, është e domosdoshme një reformë serioze në institucionet e drejtësisë dhe ndërmarrja e veprimeve konkrete për të larguar armët nga individë të paautorizuar dhe për të arrestuar personat në arrati, duke siguruar një koordinim më të fortë mes institucioneve të sigurisë.
Drizan Shala: Institucionet e sigurisë duhet të mblidhen urgjentisht për të parandaluar vras*jet
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka ngritur shqetësimin për pasigurinë publike në Kosovë, duke theksuar se mekanizmat institucionalë shtetërorë, përfshirë prokurorinë, gjykatën dhe policinë, duhet të mblidhen urgjentisht për të hartuar veprime konkrete që do të parandalojnë raste të tilla tragjike.
‘’A i përket situatës së sigurisë publike është e qartë që mekanizmin institucional shtetëror: prokuroria, gjyqësori dhe policia duhet të mblidhen urgjentisht të hartojnë veprime konkrete dhe të bëjnë paralandalimin e këtyre rasteve’’, tha Shala për FrontOnline.
Ai ka shtuar se kjo situatë ka shfaqur një neglizhencë institucionale, ku brishtësia brenda sistemit gjyqësor dhe institucioneve të sigurisë ka kontribuar në rritjen e pasigurisë në vend.
‘’ Mbi këtë bazë ka një neglizhencë institucionale sa i përket sistemit të brishtë brenda sistemit gjyqësor në sistemin e Kosovës’’, deklaroi Shala.
Psikologu Kastrati pas vra*sjeve të fundit: Qytetarëve duhet t’u ofrohen shërbime psikologjike
Sipas psikologut Rron Kastrati shkaktarët kryesorë që po rrezikojnë integritetin dhe ekzistencën e qytetarëve janë shumë-faktorialë, përfshirë faktorët socio-ekonomikë, agresivitetin e lartë, keqinterpretimet, dhe konfliktet ndërpersonale. Ai gjithashtu ka përmendur faktorët e kushteve elementare të jetesës, duke përfshirë papunësinë si një prej arsyeve kryesore për pasigurinë sociale.
‘’ Shkaqet kryesore të cilat ditë përditë po e rrezikojnë integritetin dhe ekzistencën qytetare janë shkaqet multi-faktoriale si faktorët socio-ekonomikë, niveli I lartë i agresivitetit të keq interpretimeve, konflikteve, tensioneve, konfliktet në relacion m marrëdhëniet nder personale me të tjerët pastaj janë dhe faktorët e kushteve elementare , faktor është dhe papunësia’’, deklaroi Kastrati.
Sipas Kastratit, duhet patjetër që të merren masa për të ofruar shërbime psikologjike dhe sociale për qytetarët, jo vetëm përmes qendrave, por edhe me një koordinim ndërinstitucional që të forcohet sistemi i drejtësisë.
‘’Duhet patjetër që të merren masa që të ofrohen shërbime për qytetarët shërbime psikologjike, sociale jo vetëm përmes qendrave por duhet një koordinim ndërinstitucional në mënyrë që të forcohet sistemi I drejtësisë dhe normalisht qytetaret duhet mbështetur sidomos fëmijët adoleshentët ‘’, tha për FrontOnline Kastrati.
Një tjetër problem që rrezikon sigurinë, sipas Kastratit, është lejimi i përdorimit të armëve dhe përfshirja e të rinjve në video-lojëra që përmbajnë dhunë, si dhe ekspozimi i tyre në rrjete sociale në orare të pakufizuara. Ai theksoi se këto faktorë mund të shkaktojnë eskalim të situatave të dhunshme, duke u bërë rrezik për shoqërinë.
Kastrati ka apeluar për ndërmarrjen e masave urgjente, duke theksuar se pesë vrasjet që ndodhën brenda dhjetë ditëve janë një shifër alarmante që kërkon reagim të menjëhershëm.
‘’ Shpresoj që të merren masa sepse Brenda 10 ditëve kemi 5 vrasje që përbejnë shifër alarmante prandaj duhet të bashkëpunojmë me institucionet e të organizojmë fushata të fuqishme implementues për ndërgjegjësim’’, përfundoi Kastrati.