Pezullohet shefi i krimeve me tre zyrtarë policorë në Peqin, lejuan kultivimin e kanabisit

14:08 | 12 October 2024
pezullohet-shefi-i-krimeve-me-tre-zyrtare-policore-ne-peqin,-lejuan-kultivimin-e-kanabisit

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Elbasan dhe Korçë ka pezulluar nga detyra katër zyrtarë të policisë së Peqinit.

Kjo masë është marrë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka ekzekutuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj këtyre punonjësve të Komisariatit të Policisë Peqin.

Ata janë të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Personat e pezulluar dhe funksionet e tyre:

-Komisar Shkëlzen Xhameta, me detyrë shef i seksionit të hetimit të krimeve;

-Nënkomisar Sefer Dushku, me detyrë specialist i hetimit të krimeve;

-Inspektor Arben Koseni, me detyrë ndihmës specialist i hetimit të krimeve;

-Inspektor Aranit Koni, me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet.

“Caktimi i masave të sigurisë ndaj katër punonjësve të Policisë së Peqinit u bë pas dyshimeve të arsyeshme dhe provave që sugjerojnë përfshirjen e tyre në veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Punonjësit e policisë dyshohet se kanë lejuar me veprime dhe mosveprime konkrete zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të kultivimit të bimëve narkotike. Kjo është evidentuar në dy raste të ndryshme, që lidhen me banesën e shtetasit R.B”, thuhet në njoftimin  e policisë.

“Më 13 shtator, shtetasi R.B. u arrestua nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën bimë të llojit kanabis sativa”.

Hetimet janë ende në vazhdim për të zbuluar nëse punonjës të tjerë të policisë janë përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, dhe për të identifikuar rolin e saktë të të gjithë personave të përfshirë.

Komento: