Pezullon pjesëmarrjen shoqëria civile në Komisionin Parlamentar për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor

10:14 | 19 June 2019

Shoqëria civile pezullon pjesëmarrjen në Komisionin Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.
Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në lidhje me Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike, Ne, organizatat e shoqërisë civile, anëtarë në Grupin Këshillëdhënës të themeluar nga Komisioni Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor në të cilin marrin pjesë Kryetarët e Grupeve Parlamentare, do të pezullojnë pjesëmarrjen tonë në Grupin Këshillëdhënës deri në tërheqjen e këtij projektligji.

“Ne vlerësojmë, se projektligji aktual është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën zgjedhore të iniciuar nga Kuvendi i Kosovës. Projektligji degradon parimet kryesore të jetës politike duke rrezikuar integritetin e tërë procesit të reformës zgjedhore, përfshirë edhe cenimin e pavarësisë së Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike. Projektligji aktual dështon në adresimin e prioriteteve të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) për transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksionim efikas në financimin e partive politike, duke u mundësuar subjekteve politike të fshehin identitetin e kontribuesve financiarë të tyre, duke ngritur shumëfish lartësitë e këtyre kontributeve, duke ua zgjatur afatet për publikimin e raporteve financiare të fushatës dhe duke i zvogëluar gjobat, në rastet kur partitë e shkelin ligjin”, thuhet në njoftim.

Meqenëse Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike nuk mund të shihet si pjesë e ndarë e Reformës Zgjedhore, dhe i njëjti rrezikon këtë proces, thuhet në komunikatë, “kërkojmë që projektligji të tërhiqet apo të mos votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”.

“Komisioni Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor është formuar në prill të këtij viti dhe ka si synim kryesor adresimin e rekomandimeve të vëzhguesve të zgjedhjeve nga BE-ja. Në këtë komision përveç përfaqësuesve të subjekteve politike, marrin pjesë edhe organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtar që kanë ndihmuar vazhdimisht institucionet vendore në ndërtimin e kapaciteteve për administrim dhe monitorim të procesit zgjedhor”, thuhet tutje.

Ky aktivitet mbështetet nga 100 organizata të shoqërisë civile.

Komento: