Drejtori i Programit për Paqe dhe të Drejtat në Institutin për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbisë, i cili është autori i tekstit “Negociatat sekrete do të tradhtojnë Kosovën”, David L. Philips deklaroi sot se kur bëhet fjalë për idenë e shkëmbimit të territorit, qëndrimi i SHBA-ve është “i paqartë” nga ai i Bashkimit Evropian.
Philips tha për portalin Demostat, se disa individë në Këshillin e Sigurimit Kombëtar të SHBA mbështesin ndarjen e Kosovës, derisa të tjerët, duke përfshirë anëtarët e Kongresit, kundërshtojnë korrigjimin e kufirit.
Philips argumenton se ideja e shkëmbimit të territorit është e keqe, ndër të tjera, pasi nuk nënkupton anëtarësimin automatik të Kosovës në OKB dhe thotë se një plan i tillë nuk do të merrte mbështetjen e Parlamentit të Serbisë.
“Serbia thjesht ka nevojë ta njohë Kosovën brenda kufijve ekzistues. Taksat do të hiqen dhe rruga e Serbisë drejt anëtarësimit në BE do të përshpejtohet, pasi ajo do të përmbushë kriteret në Kapitullin 35”, tha ai.