Piatek ka thënë se synon një sezon të suksesshëm tek skuadra e Milanit.
Krzysztof Piatek synon ta ketë një sezon të suksesshëm me Milanin duke realizuar gola dhe duke u kualifikuar në Champions League sezonin e ardhshëm
I rezervuar, por i vendosur: Krzysztof Piatek synon ta ketë një sezon të suksesshëm me Milanin.
Sulmuesi polak premton se do të mundohet të shënojë sa më shumë gola, për t’i gëzuar tifozët Rossoneri dhe më pas e zbulon synimin e tij kryesor, kualifikimin në Champions League sezonin e ardhshëm.
“Babai im më ka mësuar të punoj fort dhe unë e bëj gjithmonë këtë dhe gjithmonë kam uri për gola. Dhe, këtë herë dua të shkoj më në fund në Evropë”, ka thënë fillimisht 24 vjeçari.
“Objektivi kryesor është të luaj në Champions League, është zhgënjimi më i madh që nuk jemi atje këtë sezon”, ka shtuar Piatek për “Gazzetta dello Sport”.
“Kur kam ardhur në Itali, kush do të thoshte se do të shënoja më shumë se CR7. Mirëpo, unë dua të përmirësohem dhe të bëhem golashënues. Do të bëj gjithçka për ta arritur këtë”, ka shtuar ish-sulmuesi i Genoas.
Pa dyshim, babai i tij është figura kyçe në sukseset e arritura deri tash.
“Më ka mësuar të punoj shumë. Insistimi i tij ka qenë gjithmonë kështu. Ai është trajneri i parë i jetës sime. Shumë pjesë të karakterit tim vijnë nga figura e tij”, shprehet Piatek.
Sezonin e ardhshëm, ai do ta veshë fanellën me numrin 9, i cili peshon rëndë pasi në të kaluarën këtë numër e kanë mbajtur lojtarë të mëdhenj.
Mirëpo, sulmuesi i rrezikshëm nuk e ka fort problem.
“Fanella me numrin 9? Jam i lumtur që do ta kem atë në shpinë. Nga një në dhjetë, jam i lumtur… 11. Nëntëshi është një numër i rëndësishëm për një sulmues, të gjithë më të mirët e kanë. Nuk mendoj për numrin ‘e nemur’: për mua numri 9 është normal, do të shkojë mirë siç kishte shkuar me numrin 19 sezonin e kaluar. Kjo gjë nuk më sjell frikë”, shprehet tutje Piatek.
“Thonë se sezoni i dytë është gjithmonë më i vështirë se i pari? Për mua nuk ka qenë asnjëherë kështu. Kam arritur gjithmonë të përmirësohem”, ka përfunduar sulmuesi polak i Milanit.