Pickimi nga rriqrat vazhdon të mbetët shqetësim për njerëzit.
Gjatë këtij viti ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive kanë kërkuar 145 persona dhe nga ky numër përqindja më e madhe kanë qenë nga komuna e Prishtinës, por për nga numri i personave të thumbuar nga rriqrat të dhënat e Institutit Kombëtare të Shëndetit Publik e vendosin qytetin e Malishevës si zona më endemike.
Shefi i repartit të etheve hemorragjike pranë Klinikës Infektive, Sali Ahmeti ka bërë të ditur se 80 përqind prej atyre që kanë kërkuar trajtim mjekësor në Infektivë kanë qenë nga Prishtina.
“Intervenim mjekësor në QKUK për shkak të thumbimit nga rriqrat deri më tani kanë kërkuar 145 persona, prej tyre rreth 80 përqind kanë qenë nga komuna e Prishtinës, por ka pasur edhe nga Malisheva, Rahoveci e më pak nga Skenderaj”, u shpreh përmes telefonit Ahmeti.
E të dhënat e Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik thonë se gjatë kësaj jave numri i të pickuarve nga rriqrat ka arritur rreth 550 persona, ku rastet më të shpeshta të të prekurve janë raportuar nga komuna e Malishevës, shifra e të cilëve arrin mbi 260 persona.
“Në vatrat endemike ka filluar pickimi i rriqrave që është paralajmërimi i parë për mundësinë e shfaqjes së sëmundjes. Numri i të pickuarve ka arritur në 263 në komunën e Malishevës, 138 raste në komunën e Suharekës, 92 raste në komunën e Klinës dhe 48 raste në komunën e Rahovecit si pasojë e qëndrimit në livadhe të pa kositura, shkurre dhe shtalla dhe veshmbathjes jo adekuate”, thuhej në shkresën e IKSHP-së.
E në komunën e Malishevës bëjnë të ditur se i kanë ndërmarrë të gjitha masat parandaluese kundër etheve hemorragjike krime kongo.
Zyrtarët komunal theksuan se deri më tani asnjëri prej rasteve të thumbuara nga rriqra nuk është prekur nga virusi i Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK).
Nënkryetari i komunës së Malishevës, Hajdin Berisha për KosovaPress, u shpreh se së shpejti do të nis dezinsektimi selektiv nëpër zonat endemike.
Shefi i Shtabit të Parandalimit të Etheve Hemorragjike, thotë se tani për tani nuk ka ndonjë shqetësim por që si komunë nuk po mund të ndajnë mjaftueshëm mjete për trajtim të kësaj çështje, prandaj e sheh tejet të nevojshëm rritjen e buxhetit për komunën e Malishevës.
“Për pak kohë presim që të jemi në terren me dezinsektim selektiv të zonave endemike, faktikisht këtë vit janë ndarë në dy pjesë njërën pjesë e kryen komuna e Malishevës me mjete vetanake, ndërsa pjesa tjetër e kryen Ministria e Bujqësisë është fat i mirë që deri më tani nuk kemi ndonjë shqetësim…Çdoherë kur takohemi me këshillin ndërministor për parandalim dhe luftimin e etheve hemorragjike e kemi ngritur si çështje që ka nevojë që Qeveria të ndaj mjete më shumë edhe për komunat tjera për rreth por në veçanti për Malishevën që njihet si zonë me endemike, ne e mirëpresim rritjen e buxhetit, përndryshe ne jemi ashtu të shtrënguar që me mjetet vetanake të buxhetit të komunës të ndajmë për çdo vit mjete por nuk janë të mjaftueshme”, shprehet Berisha.
Edhe pse në komunë thonë se janë ndërmarrë të gjitha masat, qytetarët e Malishevës vazhdojnë të ndihen të rrezikuar pasi që ata po konsiderojnë se spërkatja e zonave endemike ende nuk ka nisur.
Enver Zogaj nga fshati Bellanicë, thotë se po ndihet i rrezikuar pasi që komuna ende nuk ka filluar dezinfektimin në këtë anë.
“Vetëm kanë filluar të shfaqen në fushë, unë vi nga fshati Bellanicë, aty ku frekuentohet bagëtia zakonisht ka edhe rriqra nuk e di a ka dal komuna apo jo, në fshat tonin ende jo….Në fshatin tonë ende nuk të lajmëruar për momentin”, thotë Zogaj.
Edhe Shaban Krasniqi po ashtu nga Malisheva thotë se ende komuna nuk ka ndërmarrë masat parandaluese për pickim të rriqrave.
Sipas tij, më të rrezikuar janë fëmijët pasi që ata i ruajnë më shumë bagëtitë.
“Sivjet ende nuk ka filluar spërkatja e rriqrave, viteve tjera kanë dal më herët i kanë kryer procedurat më herët, ka raste të rralla sivjet për pickim të rriqrave por ka qenë mirë me parandalua sikurse viteve tjera…Normal që ndihemi të rrezikuar se kemi fëmijë që i lëshojnë bagëtitë dhe dalin të luajnë fëmijët normal që janë të rrezikuar”, thotë ky banor i Malishevës.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka vlerësuar se ka një ngritjes së vetëdijes qytetare për kujdes më të madh ndaj rriqrave, por që pajtohet se duhet të ndahet buxhet shtesë për komunat që njihen si zona endemike.
Sipas anëtares së Komisionit Parlamentar për Shëndetësi për parandalim të thumbimit nga rriqrat, është e nevojshme që me kohë të merren masat e dezinfektimit të zonave endemike.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe institute tjera regjionale sa i përket anës së edukimit shëndetësor deri tani kanë bërë mjaftë, mirëpo ne duhet të ndajmë buxhet shtesë dhe për komuna, sepse komuna e Malishevës, Klinës, kah Rahoveci i kemi tashmë zona endemike ku vit pas viti kemi pasur raste të shfaqjes së sëmundjes së etheve hemorragjike krime kongo dhe shteti duhet të ndaj buxhet mjaftueshëm në mbështetje të profesionistëve shëndetësor dhe institucioneve shëndetësore që merren edhe me parandalimin edhe me edukim shëndetësor, por edhe të klinikës infektive për të pasur mjete të mjaftueshme të medikamente të cilat pastaj duhet pasur për trajtimin e këtyre sëmundjeve”, thotë Kollçaku.
Instituti Kombëtar këtë vit ka dal edhe me disa rekomandime për qytetarët me qëllim të parandalimit të pickimit nga rriqrat:
1. Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,
2. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,
3. Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),
4. Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,
5. Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,
6. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,
7. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),
8. Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,
9. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.
Nga ethet hemorragjike, vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona, ndërkohë që shifrat tregojnë se të pickuar nga rriqrat, ishin 5,200 persona.