
Avokati amerikan i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre Prosper, ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Hagës, pas akuzave se diplomatët e njohur nuk kishin informacion të mjaftueshëm për çështjen.
Prosper e cilësoi sjelljen e Prokurorisë si “arrogancë, injorancë dhe mungesë respekti”.
“Dje komunikova me një diplomat të lartë, ambasador, i dërguar i posaçëm, i lexova disa nga citimet e së hënës nga ZPS-ja. Veçanërisht për faktin se gjyqtarët kanë dëgjuar dëshmi nga shtatë ndërkombëtarë. U përpoqën me çiltërsi të sillnin paqe në Kosovë. Por, përfshirja e tyre në këtë çështje dhe observimet e tyre të kufizuara, a janë apo nuk janë të vlefshme kjo është temë më vete. Shtatë dëshmitarët ndërkombëtarë u sollën këtu, në situate të vështirë, sepse kishin pak njohuri me aktorët e përfshirë, gjuhën nuk e flisnin, kanë komunikuar vetëm disa herë me aktorët kryesorë, nuk kanë lexuar komunikata të UÇK-së, nuk e njihnin strukturën. Dhe vazhdon prokurorja të thotë se kishin informacione të kufizuara. Kolegu im më tha e tmerrshme, kaq pak respektojnë profesionin tonë. Të nderuar zotërinjë duhet ta shikojmë ndryshe këtë çështje, sepse këto komente tregojnë arrogance, mungesë respekti, i cili ka qenë i pranishëm qysh nga fillimi. Të rrëzosh përvojat, dëshmitë e këtyre profesionistëve, të cilët kanë pasur për detyrë të shkojnë, të analizojnë situatat, të shikojnë ngjarjet,” tha Prosper.
Ai shtoi se kjo sjellje është arsyeja që qeveritë po humbin besimin në tribunale ndërkombëtare.
“Për mua është gjest dëshpërimi. Nuk është për t’u habitur që qeveritë dyshojnë në besueshmërinë e tribunaleve ndërkombëtare, sepse kur vet profesionistët dalin e tregojnë çfarë ka ndodhur, e deklaratat e tyre hidhen poshtë, kjo është problematike. Këto tribunale janë instrumente të sistemit të rendit ndërkombëtar. Personat që kanë qenë para jush janë pjesë e këtij sistemi. Nëse duhet të ketë tribunale e drejtësi, ju ishit atje, po nuk e dini sepse ne do të interpretojmë ndryshe. Mos iu besoni syve, veshëve, dime ne më shumë se ju. Është e rëndësishme t’i kujtojmë vetes rëndësinë e dëshmitarëve. Mund të mos pëlqejnë, mund të mos respektojnë dëshmitarët ndërkombëtarë, por duhet të respektojnë rolin që kanë pasur, profesionet e tyre dhe shtetet që përfaqësojnë, Amerikën, Britaninë, NATO-n,” tha ai.
Prosper theksoi gjithashtu rolin e diplomatëve dhe ekspertëve që dhanë dëshmi të dorës së parë, duke u përpjekur të argumentojë se Prokuroria i minimizon këto kontribute.
“Gjenerali Clark, Rubin, Duncan, Williams erdhën me informacione të dorës së parë. Prokuroria po i cilëson ata sikur kanë shkuar për turizëm në Kosovë. Informacioni që kanë këta persona iu përket institucioneve përkatëse, kur dhanë këndvështrimet e tyre, ishin të matura, produkt i bashkëpunimit. Kishin informacion nga organizata ushtarake, civile, raporte nga OJQ-të, debate të brendshme, konstatime personale në terren. James Rubin ka punuar për senatorin Biden, ka qenë këshilltar i sekretares së shtetit dhe u caktua të shihte kush ishte Hashim Thaçi. Paul Williams, profesor i nderuar, ndihmoi shtetet e dobëta të gjejnë paqe falas. Duncan dhe Durkee, diplomat karriere, me përvojë të madhe, dhe ambasadori Hill, gjashtë herë ambasador, dhanë informacion të vlefshëm. Prokuroria hodhi poshtë fjalët e tyre, sikur këta persona nuk kishin bërë asgjë. Ky është mungesë respekti dhe injorancë ndaj punës së tyre dhe profesionit që përfaqësojnë,” tha Prosper.