
Pikëkalimi kyç kufitar në Rafah të Gazës u rihap për palestinezët të hënën, tha një zyrtar izraelit i sigurisë, por media egjiptiane e lidhur me shtetin raportoi se vetëm 50 persona do të lejohen të kalojnë në secilin drejtim në ditët e para.
Rifillimi i operacioneve vjen pasi forcat izraelite morën kontrollin e kësaj porte hyrëse drejt Egjiptit në maj të vitit 2024, gjatë luftës me Hamasin, të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja.
Një rifillim i pjesshëm i operacioneve nisi të dielën, në një fazë shumë të kufizuar që nuk përfshinte lëvizjen e njerëzve, pas muajsh thirrjesh nga grupet e ndihmës.
“Që nga ky moment, dhe pas mbërritjes së ekipeve të EUBAM-it në emër të Bashkimit Evropian, pikëkalimi në Rafah është hapur tashmë për lëvizjen e banorëve, si për hyrje ashtu edhe për dalje”, tha zyrtari izraelit, duke iu referuar misionit evropian të asistencës kufitare…/REL