Piku i infeksioneve do jetë pas dy javësh

15:24 | 20 March 2020

Mbrojtja Civile Italiane thotë se piku i infeksioneve do jetë pas dy javësh.

Italia e cila po njeh shifra në rritje për të prekurit nga koronavirusi, duket se do të arrijë pikun pas dy javëve. Këtë informacion e kanë dhënë ekspertët e shëndetësisë në Itali, ku me gjasë piku i epidemisë do të jetë pas dy javëve. Kreu i mbrojtjes civile italiane, Angelo Borrelli tha këtë mëngjes se “Të gjithë thonë se ne do të arrijmë pikun e epidemisë së shpejti, ndoshta javën tjetër ose pas dy javësh”.

Ai tha se ajo çfarë vlen në këtë kohë lufte është zbatimi i urdhrave, duke nisur nga fakti i të qëndruarit në shtëpi. Borrelli po kështu kërkoi nga qytetarët që të shmangin kontaktet dhe të lëvizin sa më pak.

“Optimizmi dhe shpresa duhet të vijnë nga sjelljet që po adoptojmë të gjithë. Kemi nevojë për maturi absolute, duhet të dalim jashtë shtëpisë sa më pak të jetë e mundur.

Është thelbësore që të përmbahet epidemia. Duhet të shmangim kontaktet njerëzore dhe të lëvizim sa më pak. Shmangni largimin nga shtëpia nëse nuk është rreptësisht e domosdoshme.

Epidemiologët na thonë se nëse bëjmë një jetë absolutisht normale, përqindja e personave të prekur nga koronavirusi do të mbetet shumë më e lartë se tani. Për këtë arsye qeveria italiane ka miratuar dhe do të vazhdojë të prodhojë masa të tilla, si ato të miratuara në Kinë. Dhe nëse nuk i përmbahemi këtyre masave, distanca sociale do të jetë e padobishme”.

Numri i të vdekurve në Itali kapi shifrën 3.405, më të lartën në botë, pavarësisht përpjekjeve heroike të mjekëve për të mbajtur gjallë të sëmurët.

Komento: