Stefano Pioli është i bindur se skuadra e tij do të jetë në gjendje të korrigjojë gabimet dhe të kalojë në finale të Ligës së Kampionëve.
Milani do të zhvillojë të martën mbrëma ndeshjen e dytë gjysmëfinale në këtë garë, kundër rivalit lokal, Interit.
“Nerazurrët” janë më afër finales pasi e fituan ndeshjen e parë me rezultatin e pastër, 2:0.
Pioli pranoi se skuadra ka bërë disa gabime në ndeshjet e fundit, duke theksuar se ka besim se skuadra e tij do të jetë në gjendje të përfitojë nga disa gabime të mundshme të kundërshtarëve.
I pyetur se si po përgatitet skuadra për gjysmëfinalen e dytë, Pioli në konferencën e sotme për media u përgjigj: “Ata po përgatiten në mënyrën më të mirë të mundshme, kanë një vendosmëri të madhe për të bërë më mirë se ndeshjen e parë dhe për të fituar ndeshjen”.
“Nuk është e lehtë të përgatitesh për nesër, por ne kemi një objektiv të rëndësishëm në mendje: të fitojmë ndeshjen për t’u kualifikuar në finale siç askush nuk do ta kishte parashikuar ndonjëherë. Tani më shumë se kurrë, askush nuk mendon se Milani mund të arrijë në finale. E di që mund të luajmë një ndeshje të madhe”, shtoi ai.
“Duam të luajmë në një nivel të lartë. Niveli në pjesën e dytë nuk do të jetë i mjaftueshëm, ne kemi aftësinë për ta ngritur atë. Është një ndeshje e gjatë, duam ta nisim mirë, pastaj të qëndrojmë në të dhe të përfitojmë nga gabimet e tyre”, vazhdoi trajneri i “Kuqezinjve”.
Tutje, Pioli tha se nuk kanë folur për ndeshjen e fundit në Serie A, të cilën e humbën ndaj Spezias.
“Nuk kemi folur për Spezian, vetëm për nesër. Këto janë llojet e lojërave që disa lojtarë ëndërrojnë të përjetojnë. Ne e dimë se po e fillojmë me një disavantazh, por kemi cilësinë për ta përmbysur atë”, tha 57-vjeçari.
“Duhet të jemi të kujdesshëm. Edhe ne do të duhet të përfitojmë nga mundësitë që marrim, më mirë se ndeshja e parë, Interi mbrohet shumë mirë. Ne kemi bërë disa gabime. Por, e kaluara është e parëndësishme. Nesër do të përpiqemi t’i kufizojmë gabimet tona në minimum, do të duhet të jemi më të vendosur dhe të gatshëm për t’i lexuar më mirë ato situata”, deklaroi Pioli.