Pioli flet pas disfatës kundër Interit: Është një humbje që dhemb

09:31 | 06 February 2023

Pioli: Është një humbje që dhemb.

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli e ka komentuar ndeshjen e mbrëmshme me Interin, të cilën “Rossoneri” e humbën me rezultat 0:1.

Kuqezinjtë u treguan të pafuqishëm ndaj “Nerazzurri”, të cilët e dominuan absolutisht lojën.

Trajneri italian ndihet keq për humbjen e radhës, e cila e thellon kështu krizën e ekipit të tij, i cili mbetet larg garës për titull në Itali, shkruan Gazeta Express.

“Dëshironim ta kishim një qëndrim defanziv paksa më kompakt. Nuk jemi mbrojtur keq, por me topin në këmbë duhet të bëjmë më mirë. Jemi gjendur të papërgatitur me topin joaktiv. Në pjesën e dytë u përmirësuam dhe luajtëm më mirë”, u shpreh trajneri Pioli për “DAZN” pas lojës.

“Ndeshjet negative na kanë hequr besimin dhe bindjen. I kemi disa mungesa dhe disa lojtarë nuk janë në formë. Duhet ta rifillojmë nga sonte: është një humbje që dhemb, që na bën të ndihemi keq, por e kemi gjetur anën solide, e cila mund të na mundësojë të rikthehemi në nivelet tona”, përfundoi trajneri italian.

Viti 2023 ka nisur në mënyrë katastrofale për Milanin, i cili e pësoi kështu humbjen e katërt radhazi, ndërkohë që u eliminua nga Kupa e Italisë, e humbi Superkupën e Italisë dhe mbeti jashtë garës për titull në Serie A.

Komento: