Shtohet kriza e të lënduarve te Milani, Pioli mbetet pa shërbimet edhe të dy futbollistëve.
Gjendja me futbollistët e lënduar te Milani po vazhdon të përkeqësohet.
Davide Calabria dhe Alexis Saelemaekers i janë shtuar listës së futbollistëve të lënduar te kampioni italian.
Të dy futbollistët në fjalë u larguan gjatë pjesës së parë në ndeshjen ndaj Empolit, të shtunën, e cila u fitua 1:3 nga Milani.
“Rossonerët” në këtë ndeshje ishin paraqitur edhe pa Mike Maignan, Theo Hernandez, Junior Messias, Alessandro Florenzi, Divock Origi e Zlatan Ibrahimovic, që po vazhdojnë të mungojnë shkaku i lëndimeve.
Për Calabrian dhe Saelemaekers nevojiten më shumë teste. Por, sa i përket italianit, raportohet se ai mund të mungojë deri pas pushimit për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Padyshim se ky do të ishte lajm tejet i keq për Stefano Piolin, i cili sapo ka nisur një seri prej 12 ndeshjesh në 44 ditë – në Serie A dhe Ligën e Kampionëve.
Milani ndeshjen e radhës e luan të mërkurën, kundër Chelseat në Ligën e Kampionëve.