Pioli i dashuruar pas Saelemaekers! Futbollisti belg si “plastelina” në skemat e Milanit.
Alexis Saelemaekers është një nga surprizat më të këndshme të gjashtë muajve të fundit. Belgu tani është bërë një strumbullar themelor për ekipin e Stefano Pioli, i cili vazhdon të mbetet i pamposhtur për 19 ndeshje radhazi në të gjitha kompeticionet. Anësori i lindur në vitin 1999 (21 vjeç ende) gëzon një vlerësim të madh nga trajneri kuqezi dhe për këtë arsye ai gjeti hapësirat që dikush tjetër do ta kishte më vështirë t’i gjente!
BESIMI – Saelemaekers është një kënaqësi e vërtetë për Piolin: ai mund të vendoset si mbrojtës i djathtë, ku në Belgjikë ai ka treguar se ka karakteristikat për të plotësuar atë rol, dhe si një sulmues i avancuar krahu, në të cilin ai u shpreh në mënyrë të përsosur për llojin e lojës që trajneri kuqezi dëshiron të imponojë.
Belgu, pra, ka krijuar një marrëdhënie të shkëlqyer me trajnerin Pioli, i cili e vlerëson atë shumë dhe shpreson t’i japë sa më shumë kohë gjatë këtij sezoni të gjatë dhe të ngarkuar.
Përveç që është i rëndësishëm për mekanizmat e lojës, Alexis Saelemaekers ka treguar se ai mund të luajë në role të shumta: siç u përmend më parë, belgu mund të luajë si mbrojtës i djathtë dhe si anësor i djathtë, por në këtë fillim sezoni, gjithashtu falë mungesës së Rebic në Europa League për shkak të skualifikimit me tre ndeshje, numri 56 gjithashtu zbuloi veten edhe si një anësor i majtë.
Paraqitjet nuk janë të njëjta si kur luan në të djathtë, por cilësia dhe prania në fushë e lojtarit i lejuan trajnerit të zbulonte mundësi të reja.