“Pishina me ujë shërues”/ Banja e Malishevës shfrytëzohet gjatë gjithë vitit për shërim dhe relaksim

08:38 | 04 January 2025
“pishina-me-uje-sherues”/-banja-e-malisheves-shfrytezohet-gjate-gjithe-vitit-per-sherim-dhe-relaksim

Tri kilometra larg qendrës së qytetit të Malishevës, ndodhet fshati Banjë e brenda këtij fshati ekziston edhe një pishinë e cila ka ujë termal apo burim natyror.

Me një gjatësi prej 50 metrash dhe thellësi prej 2 metrash, kjo pishinë ka qenë një burim jetësor për banorët e Malishevës dhe për ata që vijnë nga viset e tjera të Kosovës. Po ashtu ka edhe një pishinë të vogël, që kryesisht përdorët për fëmijët.

E ndërtuar në vitin 1975, fillimisht për t’u shërbyer mullinjve dhe më pas për nevojat bujqësore, ajo ka evoluar dhe është shndërruar në një vend të njohur për shëndetin e qytetarëve, ku ata shpresojnë të gjejnë lehtësim për sëmundje të ndryshme.

Pishina e Banjës 1977 – Arkivë (RTK)

Pishina është pjesë e lumit Mirusha, që është një element natyror dhe një burim i rëndësishëm për atraksionet turistike, si ujëvarat e Mirushës.

Sipas banorëve, kjo pishinë ka një rrjedhë të pandërprerë prej 220 litrash në sekondë dhe ofron një ambient të pasur dhe të shkëlqyer për ata që kërkojnë trajtim natyral.

Duke iu referuar banorëve, gjatë viteve, para ndërtimit të pishinave artificiale, shumë qytetarë të Kosovës udhëtonin me traktorë nga viset e ndryshme për të përfituar nga shërimi që ofronte kjo pishinë e veçantë.

 

Pishina e Banjës gjatë sezonit veror

Temperatura e ujit mbetet konstante në 25°C gjatë gjithë vitit. Ky aspekt unik e bën atë një destinacion të preferuar për ata që kërkojnë shërim dhe relaksim, pavarësisht se cilat janë kushtet klimatike jashtë.

 

Pishina e Banjës gjatë dimrit

Uji me temperaturë të qëndrueshme ofron një mjedis të përshtatshëm për shërimin e trupit, duke ndihmuar në trajtimin e problemeve të ndryshme shëndetësore, si dhe ofron mundësi për përmirësimin e lëkurës dhe lukthit.

Por, pavarësisht mrekullive që ofron dhe potencialit të saj të jashtëzakonshëm për shëndetin dhe turizmin, ajo ka mbetur e paprekur nga investimet shtetërore, madje edhe pas 50 vitesh.

Skeleti i saj prej betoni, i cili është i pandryshuar që nga ndërtimi, flet për një infrastrukturë të vjetër, e cila shpesh herë lihet pa mbikëqyrje dhe përdoret sporadikisht, duke u dhënë me qira nga një kohë në tjetrën.

 

Qytetari duke bërë not në Pishinën e Banjës (muaji shtator)

 

Kjo pishinë, e cila mund të shndërrohej në një qendër të rëndësishme atraksioni dhe turizmi, ka mbetur e pazhvilluar, duke mos arritur të realizojë potencialin e saj të plotë për zhvillim dhe shërbim ndaj vizitorëve.

Po ashtu kjo pishinë është shfrytëzuar gjithashtu nga Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës për trajnime dhe aktivitete të ndryshme.

 

Veli Limaj, menaxher i pishinës në Banjë

Sipas Veli Limajt, banor i Fshatit Banjë, kjo pishinë ka kapacitet që të pres deri në 600 persona në ditë.

‘’Nga viti 1975 është hapur, me ato muret me ato skeletin që e ka dhe deri në 600 persona mund të hyjnë brenda ditës. Temperatura është konstante, verë e dimër është e njëjtë 24-25 gradë celsius’’ thotë qytetari Limaj për FrontOnline.

Ai thotë se uji termal buron në mes të pishinës, derisa thotë se thellësia e pishinës është rreth dy metra.

‘’Uji buron në mes të pishinës, nuk vie nga diku tjetër. Rreth dy metra është e thellë, e ka edhe bazenin tjetër të vogël, për fëmijë’’.

Edhe banori i fshatit Banjë thotë se pishina ka veti shëruese dhe madje sipas tij ka pasur njerëz që kanë qëndruar 3-4 ditë.

‘’Në bazë të praktikave nga njerëzit që kanë qëndruar 3-4 ditë¸ ky ujë është shërues, pra shëron për sëmundje si lukthi, për pije’’ thotë Limaj.

Limaj, që sot menaxhon me këtë pishinë, thotë se ia ka bërë analizat këtij uji dhe se ka rezultuar se është edhe i pijshëm.

‘’Analizat ja kemi bërë vjet, unë ia kam bërë dhe nga Inspektorati Sanitar, dhe ia kemi bërë analizat tek Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, dhe na ka rezultu se uji është i pijshëm’’.

Ai thotë se ka plotë storje dhe ka shumë njerëz që e frekuentojnë këtë pishinë edhe gjatë dimrit e madje sipas tij, edhe institutcionet e shtetit e përdorin atë për trajnimet e tyre.

‘’Ka plotë storje, ka plotë njerëz që e përdorin edhe gjatë dimrit. FSK-ja, Policia e Kosovës e përdorin gjatë dimrit për trajnimet e tyre. Shpeshë herë kanë kontaktuar me mua, kanë lypë leje dhe i kanë përfunduar trajnimet’’ rrëfen tutje Limaj për FrontOnline.

Limaj thotë se para luftës, kjo pishinë ka qenë madje e vetmja në atë rajon dhe me gjerë dhe edhe atëherë janë mbajtur garat e notit.

‘’Kjo pishinë ka qenë e vetmja në këto treva ku janë mbajtur edhe garat e notit’’

Duke rrëfyer për këtë pishinë, ai thotë se më herët sipas të moshuarve, thuhet se pishina ka qenë me gurë dhe rrasa, derisa flet për para viteve të 70-ta.

‘’Ma herët ka qenë me gurë, me rrasa, po flas para viteve të 70-ta, qysh kam dëgju’’ deklaron Limaj.

Komento: