Kryesia e Sindikatës së Policisë së Kosovës ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Këshillit Evropian të Sindikatave Policore (CESP), me temën: “The New Security Landscape: Future of Policing”.
Në këtë ngjarje, janë prezantuar sfidat dhe synimet për përmirësimin e të drejtave dhe kushteve të punës për zyrtarët policorë të Kosovës.Si anëtarë të Këshillit Evropian të Sindikatave Policore – CESP, kjo pjesëmarrje paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për të ngritur zërin e zyrtarëve policorë të Kosovës në nivel evropian.
Përmes kësaj platforme të fuqishme, sfidat dhe kërkesat e policisë së Kosovës jo vetëm që dëgjohen, por marrin mbështetje nga një rrjet i gjerë sindikatash homologe në Evropë, duke forcuar ndikimin dhe bashkëpunimin për realizimin e qëllimeve të përbashkëta.Në këtë forum ndërkombëtar, Sindikata e Policisë së Kosovës ka adresuar disa nga çështjet më të ndjeshme me të cilat përballen forcat e rendit në Kosovë, duke përfaqësuar me dinjitet zyrtarët policorë dhe duke kërkuar mbështetje për:Krijimin e një kontrate kolektive sektoriale, që do të përcaktonte standarde të qëndrueshme për mirëqenien dhe kushtet e punës së zyrtarëve policorë.
Ligjin për moshën e pensionimit, pasi kufiri aktual prej 65 vjetësh nuk reflekton natyrën sfiduese të punës policore dhe kërkon rishikim të menjëhershëm. Përforcimin e mbrojtjes shëndetësore dhe sociale, për të ofruar një mbështetje të qëndrueshme për zyrtarët policorë dhe familjet e tyre.
Në prezantim, është theksuar roli thelbësor i Policisë së Kosovës në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, si dhe rëndësia e mbështetjes së fuqishme sindikale për fuqizimin e këtij institucioni të besuar.
Po ashtu, janë ndarë përvojat me përfaqësuesit e sindikatave policore nga vendet anëtare të CESP, duke u nënvizuar rëndësia e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira. Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në promovimin e interesave të zyrtarëve policorë përmes një qasjeje profesionale dhe konstruktive, duke kërkuar zgjidhje praktike për çështjet kyçe që ndikojnë policinë dhe sistemin e sigurisë. Pjesëmarrja në CESP dëshmon përkushtimin për të fuqizuar rolin dhe të drejtat e policisë në Kosovë, duke ndërtuar solidaritet me sindikatat simotra në rajon dhe Evropë. Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet një zë i fuqishëm i të drejtave sindikale, duke forcuar dialogun dhe duke kërkuar rezultate konkrete që përmirësojnë jetën dhe kushtet e punës së zyrtarëve policorë.