Pjetër Shala dëshiron të jep deklaratë pa betim në fillim të gjyqit

13:01 | 18 Tetor 2022

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala dëshiron të flasë para trupit gjykues në fillim të procesin gjyqësor kundër tij, i cili pritet të nisë së shpejti. Këta e ka konfirmuar mbrojtja e tij në konferencën përgatitore për gjykim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në këtë konferencë nga prokuroria u tha se janë të gatshëm për fillimin e procesit gjyqësor, ndërsa mbrojtja deklaroi se gatishmëria e tyre varet nga dokumentet që marrin nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Sipas avokatit, Jean-Louis Gilissen, prokuroria ende nuk e ka përfunduar nxjerrjen e provave.
“Jam i lumtur që prokurorët janë të gatshëm të fillojnë gjyqin dhe nuk kanë përfunduar nxjerrjen e provave, është një mrekulli t’i dëgjosh të thonë se jemi të gatshëm ndërkohë ne kemi kohë që kërkojmë gjëra që janë një numër dokumentesh që kanë pasoja për palën mbrojtëse. Është e çuditshme per mendimin tim, palës mbrojtëse i janë dhënë dokumente kaq vonë, nga ana tjetër ata thonë që janë të gatshëm për të filluar, nga ne çdo gjë varet nga dokumentet që marrim”, tha ai.

Mbrojtja deklaroi se duan të bëjnë fjalën e tyre hyrëse në fillim të gjykimit ndërsa shtoi se edhe vetë Pjetër Shala do të flasë.
“Zotëri Shala dëshiron të bëjë një deklaratë, nuk e di nëse do të jetë një deklaratë (pa betim) e shkurtë, por jam i sigurt që nuk është shumë e gjatë”, tha ai.

Në këtë konferencë u diskutua edhe për mundësinë e një vizite të trupit gjykues në vendin ku pretendohet të kenë ndodhur ngjarjet rreth së cilave prokuroria e akuzon Shalën.

Palët dhe mbrojtësi i viktimave vlerësuan se një vizitë e tillë do të ndihmonte trupin gjykues.

Mbrojtja e Shalës tha se koha e përshtatshme për një vizitë të tillë do të ishte pasi të dëgjohen argumentet e prokurorisë dhe para fillimit të paraqitjes së provave nga ana e mbrojtjes.

“Ne mendojmë nëse ju doni të kuptoni zinxhirin komandues dhe kush e ka pasur këtë në Kukës ne duam të shkoni te fabrika e metalit në Kukës. Prokuroria ka treguar edhe mbi një shtëpi ku komandanti i brigadës 128 ka qëndruar, dhe ata kanë disa kontakte, pra nëse doni të krijoni një pamje të qartë të zinxhirit komandues do të ishte me vlerë për të parë ku ishte kjo shtëpi, distanca ku ndodhet ajo dhe informata të tjera, e njëjta gjë vlen edhe për varrezat”, tha Gilissen.

Sipas prokurorisë, periudha kohore e duhur për një vizitë në vendin ku pretendohet të kenë ndodhur ngjarjet është në fund të paraqitjes së provave nga ZPS, pala mbrojtëse dhe mbrojtja e viktimave.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Komento: