Plagjiaturë e rëndë nga Universiteti ku punon zonja e parë

12:25 | 19 July 2019

Universiteti i Mitrovicës ku punon zonja e parë, ka bërë plagjiaturë.

Ekipi i Ekspertëve, i përbërë nga rumunet Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu, gjeti se 53 për qind e deklaratës së misionit të Universitetit “Isa Boletini” ishte kopjuar në mënyrë identike nga një tjetër universitet publik kosovar.

Vjedhja e deklaratës së misionit – dokumentit më të rëndësishëm të një universiteti – ka qenë njëra prej arsyeve kryesore që bindi ekspertët e huaj të angazhuar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA), për të mos e akredituar Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

Ekipi i Ekspertëve, i përbërë nga rumunet Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu, gjeti se 53 për qind e deklaratës së misionit të Universitetit “Isa Boletini” ishte kopjuar në mënyrë identike nga një tjetër universitet publik kosovar.

Pjesa tjetër e deklaratës së misionit të Universitetit është manipuluar me sinonime, thuhet në raportin e përpiluar nga dy ekspertët e angazhuar nga AKA, të cilin e ka siguruar Insajderi.

“Deklarata e misionit të UMIB-it është 53% identike (e kopjuar, sipas mjetit të krahasimit të fjalëve në Microsoft) me deklaratën e misionit të një universiteti tjetër publik në Kosovë, ndërsa pjesa më e madhe e fjalëve të mbetura janë sinonime”, thuhet në raportin e AKA-s për Universitetin e Mitrovicës.

Po ashtu, në vizitën inspektuese që ekspertet e angazhuara nga AKA kanë bërë në Universitetin e Mitrovicës më 9 dhe 10 prill, është gjetur se ka mangësi në rekrutimin e personelit administrativ dhe akademik.

Shumica e të punësuarve në këtë universitet publik, sipas raportit, nuk kanë përshkrim të punës.

Për këtë arsye, Ekipi i Ekspertëve të AKA-s rekomandon universitetin “të sigurojë që të gjitha kualifikimet e personelit të përmbushin përshkrimin e tyre të punës”.
Ndonëse ka ndërtuar një objekt të ri, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” vuan për hapësira rekreative dhe sportive. Nuk ofron as strehim për studentët e saj.

“Universiteti nuk ka hapësira rekreative, kafene, objekte sportive, shërbime mjekësore dhe nuk ofron strehim për studentët e saj”, thuhet në raportin e Ekipit të Ekspertëve.
Raporti ka gjetur edhe një sërë shkeljesh të tjera, përfshirë mungesën e zyrave që mundësojnë zhvillimin e karrierës së studentëve të diplomuar, mangësitë në përpilimin e raporteve financiare etj.

Kush janë udhëheqësit e Universitetit të Mitrovicës, të lidhur me parti politike?
Ish-sekretari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Alush Musaj dhe Ali Sadiku, xhaxhai i ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha-Sadiku, janë dy nga drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, të cilit të hënën iu hoq akreditimi për vitin akademik 2019/2020.

Alush Musaj është rektor i Universitetit “Isa Boletini”. Rektori Musaj më parë ka qenë sekretar i degës së PDK-së në Mitrovicë. Ka qenë drejtor i inspeksionit në mandatin e Bajram Rexhepit si kryetar i Komunës së Mitrovicës.

Ai është rektori i parë i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, pasi në vitin 2013 fillimisht ishte zgjedhur si ushtrues detyre në kohën kur është themeluar ky universiteti.

Prodekane e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike në Universitetin “Isa Boletini” është Lumnije Thaçi, Zonja e Parë e shtetit dhe bashkëshortja e Hashim Thaçit.
Numrin prej tre prokrektorëve të Universitetit Publik të Mitrovicës e plotësojnë Rifat Morina dhe Izet Zeqiri. Morina është prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim të Cilësisë, ndërkaq Zeqiri ushtron detyrën e rektorit për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore.

Komento: