Veprime të reja janë ndërmarrë sa i përket plagosjes në diskotekën “Duplex” në Prishtinë.
Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se janë suspenduar dy zyrtarë policorë të Njësive Speciale të policisë.
Në komunikatën për media, është bërë të ditur se suspendimi i G.P dhe I.H do të bëhet deri në përfundimin e hetimeve.
Ja njoftimi i plotë:
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve lidhur me incidentin që ka ndodhur më 09.11.2019 në diskotekën Duplex në Prishtinë, ka kërkuar informacione nga Policia Kosovës lidhur me veprimet/reagimet apo mos veprimet eventuale nga zyrtarët policorë që janë ndodhur afër vendit të ngjarjes sipas detyrës zyrtare apo edhe jashtë detyrës zyrtare.
Hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë analizuar këto informacione si dhe disa video-incizime që janë siguruar nga kamerat e sigurisë në vendin e incidentit.
Ky rast, bazuar edhe në ligjin të IPK-së është iniciuar sipas detyrës zyrtare (ex officio).
Më 18.11.2019 nga IPK është rekomanduar suspendimi i dy zyrtarëve policorë të Njësive të Specializuara (NJSO – Njësitit Special Operativ) me inicialet G.P dhe I.H deri në përfundim të hetimeve.
Në koordinim me prokurorinë kompetente lënda është duke u hetuar në procedurë të rregullt me dyshimin se është kryer vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.