Agim Bahtiri kishtë bërë një përpjekje për bashkimin e Mitrovicës.
Bahtiri, ditë më parë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta dërguar në Kuvendin e Kosovës propozimin për ndryshimin e Ligjit që do ta bashkonte Mitrovicën në një komunë të vetme.
Përmes një postimi në Facebook, Bahtiri ka thënë se kërkesa e tij për bashkimin e qytetit është mbështetur nga shumica e partive politike në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës.
Por, ideja e parë e Bahtirit nuk ka marrë mbështetje nga Qeveria e Kosovës.
Kështu, Bahtiri sërish ka dalë me një plan të ri për bashkimin e jugut me veriun e Mitrovicës.
Planin e ri për bashkimin e dy pjesëve në një komunë të vetme, përmes një peticioni, duke mbledhur 10 mijë nënshkrime të qytetarëve të Mitrovicës, e ka konfirmuar për KTV’në vetë Bahtiri.
Por, qytetarët e veriut të Mitrovicës, të cilët nuk kanë dashur të prononcohen para kamerës, planin e kryetarit Agim Bahtiri, nuk po e përkrahin.
Ndonëse në jug të Mitrovicës e duan bashkimin e dy pjesëve të Mitrovicës, qytetarët thonë se plani i Bahtirit është në kundërshtim me pakon e Ahtisaarit, për çka nuk do të marrë mbështetje nga askush.
Më 30 nëntor, Asambleja e Komunës së Mitrovicës i dha mbështetje të plotë iniciativës e cila i kërkon Qeverisë ta procedojë në Kuvend ndryshimin e disa neneve të Ligjit për kufijtë administrativë të të dyja komunave të Mitrovicës.
Me vota unanime, Kuvendi Komunal i Mitrovicës e miratoi këtë iniciativë.