Plani franko-gjerman, Molliqaj i kërkon llogari Kurtit

18:26 | 07 November 2022

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, është deklaruar në lidhje me propozimin franko-gjerman.

Molliqaj tha se ishte mohuar ekzistenca e këtij plani, e për të nuk fliste dot askush.

Pas kësaj, Molliqaj tha se zv/kryeministri tha se ky qenka më afër qëndrimit serb.

Më pas ai tha se lidhur me këtë u deklarua edhe kryeministri Albin Kurti, teksa po arsyetohej për veriun, bojkotin dhe tensionet.

Molliqaj tha se të shfrytëzosh Serbinë si argument është veçse mungesë kur nuk ke çfarë të tregosh në mënyrë afirmative, ku gjithnjë si prezencë aty është Serbia.

Ai shtoi se Kurti duhet të japë përgjegjësi për 1 vit e gjysmë dialog të fshehtë, për të sjellur pastaj marrëveshje pa njohje, marrëveshje që normalizon mosnjohjen.

Postimi i plotë:

Plani franko-gjerman është pranuar

Ishte mohuar ekzistenca e këtij plani. Nuk fliste dot askush. Pastaj zv.kryeministri na tha se ky qenka më afer qëndrimit serb.

Më në fund, duhej të fliste kryeministri. Kryeministri foli, si pa shkas, teksa po adresohej për veriun, bojkotin dhe tensionet. Të gjitha ngjarjet në veri qenkan rezultat i një shkaku të vetëm: Serbia e paska refuzuar planin franko-gjerman. Kosova i ka disa vërejtje por nuk e ka refuzuar.

Ashiqare, skemë e njohur, skemë e vjetër sa vetë jeta. Kurse ne mendonim e analizonim se çfarë do të gatuante. Armiku si argument: Serbia ka refuzuar, rrjedhimisht është i mirë për ne. Së dyti pranimi i planit duhet të vijë në një situatë tensioni. Kur frika e konfliktit është sfondi, cilësia e marrëveshjes është gjithnjë në plan të dytë dhe më pak e gjykuar.

Ta shfrytëzosh Serbinë si argument është veçse mungesë. Kur nuk ke çfarë të tregosh në mënyrë afirmative, është gjithnjë si prezencë aty Serbia.

Kurti duhet të japë përgjegjësi për 1 vit e gjysmë dialog të fshehtë. Për të sjellur pastaj marrëveshje pa njohje, marrëveshje që normalizon mosnjohjen.

Komento: