Plani i Rritjes, Qeveria miraton nismën për negocimin e marrëveshjes me Komisionin Europian

11:38 | 13 November 2024
plani-i-rritjes,-qeveria-miraton-nismen-per-negocimin-e-marreveshjes-me-komisionin-europian

Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe BE-së, përfaqësuar nga Komisioni Europian dhe Bankës Qendrore të Kosovës si agjent i Qeverisë për mekanizmin për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Albin Kurti tha se kjo marrëveshje ndër tjera synon të rrisë integrimin rajonal të Kosovës dhe përafrimin me legjislacionin e BE-së, raporton Gazeta Express.

Nismën në mbledhjen e Qeverisë e ka prezantuar ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se kjo marrëveshje përveç mbështetje financiare është edhe pikë reference për Kosovën në rrugën e saj europiane.

“Në kuadër të Planit të Rritjes të dakorduar me Bashkimin Europian dhe të negociuar nga Zyra e Kryeministrit dhe në kuadër të bashkëpunimit zhvillimor me BE-në dhe rëndësinë e agjendës për reforma, e cila është aprovuar rishtazi, sot para jush paraqes nismën për të negociuar marrëveshjen me Komisionin Europian për mekanizimin për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja ka për qëllim përshpejtimin e përafrimit me legjislacionin e BE-së, integrimin ekonomik rajonal, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në, duke plotësuar pra fondet e instrumentit të para-anëtarësimit apo IPA. Në qendër të këtij përkushtimi qëndron agjenda e reformave të Kosovës, që përfshinë reforma për administratë publike, menaxhimin financave publike, digjitalizimin e shërbimeve, infrastrukturës, politika të dekarbonizimit, efiçiencës së energjisë, rregullimin e mjedisit afarist, arsimin, tregun e punës dhe sundimin e ligjit”.

Murati tha se partneriteti me BE-në përmes këtij mekanizmi përfaqëson një angazhim të përbashkët për reforma, përparim dhe stabilitet.

Ai shtoi se nëse rrethanat e kërkojnë ekziston edhe fleksibiliteti për të ndryshuar agjendën e reformave në mënyrë që ato t’u përshtaten ndryshimeve të cilat mund të jenë të paparashikuara, “duke siguruar kështu që Kosova të mbetet në rrugën drejt arritjes së këtyre objektivave”.

Murati e theksoi se ata do të mbahen përgjegjës nga BE për arritjen e objektivave që parashihen nga Plani i Rritjes.

“BE do të vlerësojë përparimin e Kosovës duke na mbajtur përgjegjës për arritjen e këtyre objektivave të matshme dhe reformuese dhe duke përmirësuar transparencën dhe efikasitetin e menaxhimit të financave publike në Kosovë. Kjo marrëveshje siç tanimë është publikuar arrin totalin prej 882,6 milionë euro nga të cilat 253 milionë euro janë grant kurse pjesa tjetër është kredi”.

Ai tha se duke mbështetur këtë mekanizëm, Kosova riafirmon edhe njëherë angazhimin e saj për vlerat e BE-së.

“Së bashku po hedhim një hap vendimtar përpara. Ky mekanizëm është më shumë se një mbështetje financiare, është edhe një pikë reference në rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, të begatë brenda BE-së”.

BE ka thënë se janë qëllimet e Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë sjellja e disa prej përfitimeve të anëtarësimit në BE në rajon përpara anëtarësimit, nxitja e rritjes ekonomike dhe përshpejtimi i konvergjencës shumë të nevojshme socio-ekonomike.

Komisioni Europian e miratoi këtë plan në nëntor të vitit 2023 ndërsa Parlamenti Europian dhe Këshilli e aprovuan në prill respektivisht në maj të vitit 2024.

Ky Plan parasheh deri më 2 miliardë euro në formë të granteve dhe 4 miliardë në formë të kreditëve për gjashtë partnerët nga Ballkani Perëndimor deri në vitin 2027. Ato do të janë në dispozicion vetëm pas përmbushjes së reformave të dakorduara.

Komento: