Platforma për dialogun, reagime të ashpra vijnë nga Serbia

19:03 | 12 March 2019

Autoritetet e Serbisë e kanë vlerësuar Platformën e Kosovës për dialog si “të keqe”.

Reagimet e ashpra të autoriteteve të Serbisë, madje edhe me tone fyese, lidhur me miratimin e Platformës së Kosovës për dialog me këtë vend nga Kuvendi i Kosovës, nuk paraqesin diskurs befasues, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Autoritetet e Serbisë e kanë vlerësuar Platformën e Kosovës për dialog si “të keqe” dhe të “tmerrshme”, duke e cilësuar atë si provokim dhe pengesë për zhvillimin e dialogut në të ardhmen.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën, ka shprehur habinë e tij me reagimet në Serbi në lidhje me platformën e Kosovës për dialogun. Ai ka theksuar se nuk e kupton pse ka këso reagimesh, pasi që platforma është e Kosovës dhe jo e Serbisë.

Analisti i çështjeve politike, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e lirë se në diskutimet brenda opinionit në Kosovë, ekzistojnë mendime se Platforma për dialogun ka mangësi, por marrë parasysh që ajo është platformë shtetërore e Kosovës për dialogun, si e tillë është deklaruar si e papranueshme nga autoritetet e Serbisë.

Njohësi serb i çështjeve politike, Rangjel Nojkiq, thotë se Platforma e Kosovës për dialog me Serbinë, në një masë të madhe është rezultat i diskursit të autoriteteve të Serbisë, të cilat ka dërguar porosi për mundësinë e caktimit të kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve si zgjidhje e problemit.

Marrë parasysh edhe qëndrimet e Qeverisë dhe të opozitës në Kosovë që e kundërshtojnë këtë ide, sipas tij, autoritetet e Serbisë nuk është dashur të befasohen me Platformën për dialog, të cilën e ka miratuar Kuvendi i Kosovës.

Komento: