Platforma për dialogun sjell përplasje mes pozitës dhe opozitës

11:41 | 07 Mars 2019

Përplasje mes pozitës dhe opozitës për platformën e dialogut.

Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj ka thënë sot në Kuvendin e Kosovës se Platforma dhe Ligji për dialogun janë sipas tij dy gjëra të ndryshme.

Sipas tij, Platforma është një dokument politik, ndërkaq që ligji rregullon kompetencat e delegacionit.

“Së pari duhet të dallohet ligji me plaftformën. Platforma është një dokument politik i propozuar nga delegacioni shtetëror. E ligji i rregullon kompetencat e delegacionit. Platforma vjen si rezultat i obligimit kur është votuar delegacioni shtetëror për dialogun”, ka thënë ai.

Në ndërkohë, deputetët e opozitës kanë kundërshtuar shmangien nga rregullorja, dhe diskutimin për pikën e dytë të rendit të ditës, pa u diskutuar ajo e para.

Madje, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se Ligji për Dialogun do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se Platforma për Dialogun nuk mund të votohet pa hyrë në fuqi ligji i veçantë.

Debati në Kuvend po vazhdon për çështje procedurale.

Komento: