Po bëhet politikë për padinë për gjenocid ndaj Serbisë

09:20 | 18 July 2021

Po bëhet politikë për padinë për gjenocid ndaj Serbisë, i nevojshme hulumtimi i saktë i informatave.

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, shprehet skeptikë për nismën e Qeverisë për ta paditur Serbinë për gjenocid, për faktin se duhet argumentuar mirë e që më keq për Kosovën do të ishte humbja e kësaj beteje.

Ymeri ka thënë se me paralajmërimin për padi për gjenocid ndaj Serbisë po bëhet politikë.

Sipas tij, një gjë e tillë nuk duhet të bëhet pasi që padia për gjenocid është një nga pikat më të rëndësishme për ta rishkruar historinë tonë të luftës.

“Kjo nuk është një çështje e thjesht dhe në këtë drejtim konsideroj se paralajmërimet e qeverisë së Kosovës për padi për gjenocid nga Serbia do të duhej të përcilleshin me një përmbledhje ose hulumtim të saktë të informatave në mënyrë që kjo padi të jetë gjithëpërfshirës dhe e argumentuar mirë, sepse mendoj që më keq për Kosovën do të ishte po ta humbte një betejë të tillë gjyqësore, dhe kjo është pika kryesore”, tha Ymeri.

“Është bërë vazhdimisht dhe nuk është mirë që po bëhet një gjë e tillë, dhe nëse bëhet për qëllime të politike të brendshme sepse kjo është një çështje shtetërore dhe nuk ka pikë më të rëndësishme për ta rishkruar historinë tonë të luftës se sa fitorja në këtë pikë, mirëpo a mund ta fitojmë këtu mund të përgjigjet qeveria e Kosovës e cila po pretendon se është duke u marr me këtë çështje”, shtoi ai.

“…sa i përket dialogut me Serbinë, ata vazhdimisht do të jetë kundër një gjëje të tillë dhe do ta sheh një çështje të tillë si pengesë, mirëpo nuk mendoj se do ta marrin kaq shumë në diskutim kur flasin për politikat që duhet ti ndjek Kosova, dhe një prej arsyeve që Serbia nuk do të konsultohet fare për këtë çështje është sjellja e saj karshi krimeve të kryera në Kosovë, dhe sot e kësaj dite kemi një pushtet kemi një pushtet në Beograd që vazhdon ta mohojë gjenocidin në Srebrenicë”, tha ai për EO.

Ndërsa se a do të ndikojë padia për gjenocid në dialog, Ymeri shtoi se Serbia vazhdimisht do të jetë kundër kësaj, pasi që pushteti aktual në Beograd e mohon gjenocidin.

“Mendoj se aktualisht me sa kam parë unë, mendoj që institucionet e Kosovës kanë bërë boll në mënyrë që të përgatitemi për një gjë të tillë pra që ti grumbullojnë informata, dhe mendoj që disa organizata joqeveritare ato me seli në Beograd kanë bërë më shumë për dokumentimin të forcave serbe në Kosovë, se sa kanë bërë institucionet e Kosovës fatkeqësisht dhe në këtë drejtim nuk e di se në çfarë faze jemi”, përfundoi ai.

Ndërsa deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se Qeveria duhet të përgatitet për këtë padi, e që më shumë po e konsideron tog fjalësh e lojë politike nga ana e qeverisë.

“Sa i përket mendimit që të bëjë padi për gjenocid, meqë në të vërtet Kosova ka përjetuar një gjenocid, por mendoj që duhet të përgatitemi shumë mirë dhe jo vetëm të bëjmë tog fjalësh dhe mos të implimentohen asnjëherë, mendoj që kjo është lojë politike e Qeverisë”, tha Lekaj për EO.

Lekaj thotë se kryeministri Albin Kurti këtë po e bënë për t’i hutuar qytetarët se kinse është duke punuar, e që sipas tij më tepër ka retorike boshe të fjalëve sesa implementim të atyre që shkojnë në favor të qytetarëve.

Krejt në fund ai shton se Qeveria nuk ka mbledh fakte të mjaftueshme, në mënyrë që ta realizojë padinë siç duhet.

“Kurti për të qitur huti te qytetarët pothuajse se po bëjmë diçka mirëpo në veprime ne nuk kemi parë që shkon në realizimin e kësaj deklarate. Çdo gjë deri më tani ka qenë politike, më tepër ka retorikë boshe të fjalëve sesa implementim që shkon në favor të qytetarëve”, shtoi ai.

“Ne nuk kemi mbledh fakte dhe tani kur qeveria ta thotë fjalën të jetë realitet por jo vetëm të ndikojë sa për politikë e jo të realizojë padinë siç duhet. Sa i përket anës së Kosovës ka të drejtë plotësisht dhe duhet qartë ta themi se ka pasur gjenocid në Kosovë gjatë regjimit të Millosheviqit, mirëpo sa i përket veprimeve të qeverisë Kurti mendoj se jemi shumë larg”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i vendosur që gjatë mandatit të tij qeverisës ta padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës.

Këtë pikë kryeministri i Kosovës e ka përfshirë në programin e vet qeveritar duke thënë, se “çështja e padisë për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) do të jetë një nga përparësitë e punës së tij gjatë mandatit qeverisës”.

Komento: