Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë.
Hoti është pyetur nga gazetarët për shuarjen e Taskë Forcës anti-korrupsion, dhe deklaratën e tij të djeshme ku tha se duhet të kenë frikë ata që kritikojnë për këtë vendim, shkruan lajmi.
Kryeministri në këtë kontekst është pyetur se a e kishte fjalën për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Nuk e di, nuk mund të them kush ka frikë nga ky vendim. Por në parim po them që këtij vendimi duhet t’iu frikësohen ata që e dijnë se do t’u shkojmë gjërave deri në fund”, tha Hoti.
Hoti foli edhe për polemikat se ky vendim ndërlidhet me liberalizimin e vizave, për çka ai e mohoi se mund të bëhet kjo ndërlidhje.
“Lidhur me Taskë Forcën se a lidhe tme liberalizim, është krejtësisht spekulim. Nuk ka asnjë lidhje. Përkundrazi, në të ardhmen keni me pa edhe në vendime të tjera. Këto vendime kanë me qu më shpejtë në heqjen e vizave. Pa asnjë interferim, Taskë Forca do të vazhdojë punën e vet në çështjet që i ka pasur në shqyrtim”, tha Hoti.
Kryeministri në këtë konferencë për media foli edhe për takimin e djeshëm në nivel teknik me Serbinë në Bruksel.
Ai bëri të qartë se asnjë marrëveshje nuk do të zbatohet pa arritjen e marrëveshjes finale.
“Ne kemi lëshuar një deklaratë zyrtare edhe para shkuarjes në Bruksel para dhe pas takimit në Bruksel. Do të jemi transparent për atë që bisedohet në Bruskel. Ju e dini për çfarë bëhet dialogu. Nuk ka zbatim parcial të marrëveshjeve, vetëm pas marrëveshjes finale do të adresohen obligimet që kemi marrë. Kur po them unë që nuk bisedojmë për Asociacionin, po them që është marrëveshje e mbyllur. Por do të bisedojmë për marrëveshje të tjera”, ka thënë ai.
Ai mohoi se dje është diskutuar apo hapur çështja e Asociacionit.
“Çka deklarojnë zyrtarët serbë, unë s’i marr fare parasysh. Parimet e dialogut janë të qarta, se ky proces është për njohje reciproke, dhe se nuk ka asnjë zbatim të asnjë çështje pa u arritur marrëveshja finale”, tha kryeministri Hoti në fund.