Po kërkohet ulja e kamatave për kreditë.
Nga Banka Qendrore e Kosovës thonë se nuk mund të ndërhyjnë në caktimin e disa tarifave apo pakove deri sa të miratohet ligji për Sistemin e Pagesave.
Interesimi i qytetarëve për të marrë shërbime në banka, është gjithnjë i madh. Aty tërheqin, deponojnë dhe zhvillojnë transaksione të parave. Mirëpo sa u përket çmimit të shërbimeve bankare, ato janë kryesisht të larta kur vie puna për të tërhequr kredi.
Gjatë vitit 2021 sektori bankar fitoi 37 milionë euro më shumë sesa në vitin 2020. Por edhe përkundër rritjes së profitit, norma e interesit të kredive vazhdon të mbetet e njëjtë dhe tarifat e shërbimeve bankare janë rritur.
Lidhur me këtë, deputetja Jeta Statovci bën thirrje që të mbrohet konsumatori.
Statovci thotë se kur profiti i bankave është i madh, normat e interesit dhe tarifat duhet të jenë më të lira.
Nga Banka Qendrore e Kosovës thonë se nuk mund të ndërhyjnë në caktimin e disa tarifave apo pakove bazike deri sa të miratohet ligji për Sistemin e Pagesave.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk aprovon çmimoret e bankave, por zhvillon rregullativën përkatëse në këtë fushë. Sipas Rregullores për Normën Efektive dhe Kërkesat për Shpalosje, kërkohet që bankat çdo tarifë që aplikojnë ta ndërlidhin me koston përkatëse. Gjithashtu, ju njoftojmë se BQK është në pritje të miratimit të Ligjit për Sistemin e Pagesave nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Përmes këtij Ligji, do të mundësohet që BQK-së t’i jepet kompetenca për caktimin e disa tarifave apo pakove bazike që aplikohen nga bankat komerciale.
Shqetësimet për normën e lartë të kredive më së shumti kanë ardhur nga sektori i bujqësisë, pasi që ka risk më të madh sesa sektorët tjerë.