Po ndahen Mimoza dhe Iliri

18:51 | 11 Dhjetor 2018

Themeluesit e partisë Alternativa, Mimoza Kusari Lila dhe Ilir Deda pritet që t’i ndajnë rrugët në proceset e ardhshme politike.

Gazeta Express mëson se bashkëthemeluesit e partisë së re kanë mosmarrëveshje mes vete.
Deda e pëlqen rezolutën e PSD-së së Shpend Ahmetit për dialog, ndërsa Kusari është në anën e VV-së dhe LDK-së.

Të dy nuk kanë qenë të gatshëm të deklarohen se a mendojnë njëjtë për këtë çështje.

Rezoluta e Partisë Socialdemokratike për dialog ka ndarë rrugën e shkurtër të Kusarit dhe Dedës.

Kusari, e pyetur nga Express rreth rezolutës, ka thënë se partia ka vendosur që të mos e përkrah planin e PSD-së, pa qenë pjesë e saj edhe LDK e Vetëvendosje.

Ajo ka treguar se është vendosur me shumicë të votave të kryesisë, por vendimi nuk ka qenë unanim.

“Konsiderojmë që veç partitë në Qeveri me dy partitë e vogla të opozitës s’munden me pasë ndonjë sukses në dialog, për shkak prandaj kryesia e Alternativës ka vendosur që të ketë një tërheqje mbrapa dhe të t’i bëjë apel të qeverisë që të ulen me partitë në opozitë”, ka thënë Kusari.

Ndërsa, ajo nuk ka pohuar se Deda ka qëndrim të njëjtë me të. Thotë se duhet pyetur vetë ai rreth mendimit të tij për rezolutën.

“Për atë mund të flisni me z. Ilir Deda. Unë mund të flasë si kryetare e partisë për atë që ka kaluar me shumicën e votave”, ka thënë Kusari.

Vetë Deda nuk ka qenë i gatshëm të pohoj se mban qëndrim të njëjtë me Kusarin, dhe rrjedhimisht shumicën e kryesisë.

Ai ka thënë se po i bëhet pyetje, ndërsa tregon vetëm se për qëndrimin e tij do të flasë së shpejti.

Burimet e Expressit thonë se Deda, ish-deputeti Vetëvendosjes nuk dëshiron që të mbajë qëndrim të njëjtë me partinë e dikurshme në raport me dialogun. Ai është i gatshëm që të përkrah rezolutën e PSD’së, sipas së cilës, edhe opozita bëhet pjesë e negociatave, bashkë me pushtetin.

Kryetarja e Alternativës është në kahun tjetër.

Kusari, siç edhe u deklarua sot, kërkon që rezoluta të jetë gjithëpërfshirëse dhe asaj t’i bashkohet edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike.

Partia Socialdemokrate ka dërguar Projektrezolutë me të cilën synon që opozitës t’ia japë gjysmën e pushtetit në dialogun me Serbinë kurse gjysmën tjetër pushtetit. Ka propozuar bashkëkryesues të dialogut.

Dy partitë e mëdha opozitare nuk duan ta përkrahin rezolutën e PSD-së, që parasheh përfaqësimin në dialogun me Serbinë nga dy kryenegociatorë: njëri nga pozita, e tjetri nga opozita.

Komento: