Telekomi i Kosovës tani po përballet me borxhe e probleme të shumta e për këtë ajo po mendon ta padisë Qeverinë.
E, në këtë kohë, bordi i kësaj ndërmarrjeje publike po e shqyrton mundësinë e një padie ndaj Qeverisë së Kosovës, për dividentën e marrë më 2015, raporton KTV.
Këtë e kanë konfirmuar edhe anëtarë të Bordit të Telekomit.
Suad Ujkani, përmes telefonit, ka thënë se janë duke u konsultuar për një mundësi të tillë.
Mirëpo, thotë që ende nuk kanë marrë ndonjë vendim konkret.
Për një veprim të tillë, fillimisht kishte paralajmëruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ditë më parë në Interaktiv.
E, nga institucioni që ai e udhëheq, thonë që do ta kundërshtojnë këtë padi.
“Nuk kemi ndonjë informacion se ndonjë nga kompanitë publike ka ngritur padi ndaj nesh. Kjo padi mund të vijë sepse legjislacioni në fuqi ia mundëson një gjë të tillë. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha rrugët ligjore, që t’i kundërshtojmë të gjitha vendimet që i shohim si të pabaza”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
Para disa muajve, Bordi i Telekomit kishte kërkuar nga Qeveria që t’ia kthejë 15 milionë euro të dividentës kompanisë.
Mirëpo, këtë e kishte refuzuar Qeveria e Kosovës.
Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj, thotë që tash nuk lejohet asnjë ndërhyrje në buxhet.
Më 2015, nga Telekomi i Kosovës, qeveria e atëhershme kishte tërhequr 15 milionë euro të fitimit të ndërmarrjes, gjë që, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, ishte bërë jashtëligjshëm.
Telekomi, tash gjendet në prag të falimentimit dhe ka filluar fazat e para të privatizimit.