Po punohet për ndërtimin e devijimit të kanalit të Ibër-Lepencit

21:38 | 02 December 2024
po-punohet-per-ndertimin-e-devijimit-te-kanalit-te-iber-lepencit

Në Varragë të Zubin Potokut, ku ndodhi sulmi terrorist i së premtes mbrëma, sot kanë filluar punimet për devijimin e shtratit të kanalit të Ibër-Lepencit. Rrjedha e tij do të devijojë derisa të sanohet komplet dëmi i shkaktuar nga eksplozivi, ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda pak ditësh.

Të çarat që shkaktuan mbi 15 kg eksploziv në shtratin e kanalit, devijuan ujin. Rrjedhë e madhe ndodhte. U desh një punë intensive e inxhinierëve për ta sanuar dëmin përkohësisht.

Si pasojë e punimeve, për një kohë të caktuar uji që furnizon qytetarët e Kosovës u ndal. Intervenimi duhej të ishte i shpejtë. 6 gypa u vendosën. Megjithatë, rrjedha e një pjese të madhe të ujit nuk po ndalej.

Që ky problem të zgjidhej, nevojitej ndërhyrje urgjente. Përmes kontejnerit improvizues, uji u vendos në shtratin e tij e rrjedha u ndal.

Për t’i parë nga afër punimet, kishte dalë kryeshefi ekzekutiv i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka.

“Ne sot kemi filluar me punimin e bay-pasit i cili pritet të përfundojë për 4-5 ditë me çka ky ujë do të transferohet nëpër bay-pas dhe do ta bëjë të mundshme sanimin komplet të AQUA Duktit”, tha Mujka.

Aty ishte edhe kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri. “Ekipet janë duke punuar pa ndërpre edhe gjatë natës, e edhe tani janë duke punuar. Shoh se kanë arritur të bëjnë një zgjidhje të mirë sa i përket furnizimit me ujë”, tha Zeqiri.

Gjithçka vëzhgohej nga pjesëtarë të Policisë se Kosovës. Herë pas here te vendi i punimeve shfaqeshin edhe trupa të KFOR-it.

Jo fort larg, në zonën përreth Varragës së Zubin Potokut, njësitë elite të policisë së bashku me hetues sapo kishin përfunduar verifikimin e një pjese. Njësiti i qenve K9 të enjten nuk kishte nuhatur ndonjë që të dyshimit.

Por një natë më parë përmes një komunikate policia ka njoftuar se ka arrestuar edhe një të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varragë të Zubin-Potokut, me iniciale J.V, nën dyshimin që mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike.

Sipas policisë, në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur granata dore, armë, municion e uniforma ushtarake. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit thuhet se i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.

E në anën tjetër, pas këtij sulmi me paramendim katastrofal për një pjesë të popullit të Kosovës, siguria në veri të Republikës është rritur, e policia është vendosur në çdo cep.

Komento: