
Të paktën 69 persona kanë vdekur dhe shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë u përmbys në brigjet e Mauritanisë, thanë rojet bregdetare në vendin veriperëndimor afrikan.
Shtatëmbëdhjetë persona janë shpëtuar dhe kërkimet po vazhdojnë për pasagjerë të tjerë që ndodheshin në bordin e kanoes së vogël që po shkonte drejt ishujve Kanarie të Spanjës.
Sipas të mbijetuarve, varka u nis nga Gambia gjashtë ditë para aksidentit të së martës, duke mbajtur rreth 160 persona në bord, kryesisht shtetas të Gambisë dhe Senegalit.
Udhëtimi i rrezikshëm mbi Oqeanin Atlantik është bërë një rrugë gjithnjë e më e zakonshme për migrantët afrikanë që përpiqen të arrijnë në Evropë.
Gati 47,000 njerëz arritën në ishujt Kanarie vitin e kaluar dhe organizata joqeveritare spanjolle Caminando Fronteras vlerëson se më shumë se 9,000 emigrantë vdiqën.
Burime të rojes bregdetare i thanë agjencisë spanjolle të lajmeve EFE se përpjekjet e kërkimit po vazhdonin pranë bregdetit rreth 60 kilometra në veri të kryeqytetit, Nouakchott – dhe ekipet e shpëtimit po përgatiteshin të zhyteshin dhe të inspektonin anijen e fundosur.
Emigrantët vunë re dritat e një qyteti bregdetar vonë të martën në mbrëmje dhe “u zhvendosën në njërën anë, duke shkaktuar përmbysjen e saj”, tha një zyrtar i lartë i rojes bregdetare për agjencinë e lajmeve AFP.
Raporti i Human Rights Watch pretendoi se shkeljet ishin përkeqësuar nga një marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe Spanjën, e cila synon të frenojë kalimet e rrezikshme detare drejt Ishujve Kanarie, shkruan BBC.