“Po shkunden plakat”, profesori Blerim Latifi shpjegon domethënien

12:52 | 20 April 2022

“Po shkunden plakat”. Kjo është një prej shprehjeve që e dëgjojmë sa herë që bie borë edhe në ditët e para të pranverës. Por cila është domethënia e një fraze të tillë dhe nga e ka origjinën kjo shprehje.

Profesori universitar dhe filozofi Blerim Latifi ka thënë se shprehje “po shkunden plakat” duket se është një prej mbetjeve të fundit të mitologjisë parakristiane të Evropës.

Latifi thotë se në mitologji ekzistonin mitet për disa forca hyjnore të cilat kishin kontroll mbi dukuritë e dimirit dhe ato forca përshkruheshin si gra të vjetra, që me lëvizjet e tyre shkaktonin stuhi dhe reshje bore.

“Kështu, në përfytyrimin mitik, shkundja e plakave të dimrit është veprimi i tyre i fundit, para se forcat tjera hyjnore që kontrollojnë dukuritë e verës, të marrin drejtimin e ciklit natyror të stinëve”, shkruan Latifi.

Postimi i plotë:

20 prill 2022. Po bie borë. Po shkunden plakat!

Kjo frazë mitike na vjen në mendje sa herë kur gjatë prillit papritur rikthehet të ftohtit dhe bora. Të gjithë e dimë tregimin mitik: një plakë e gëzuar nga rrezet e para të diellit pranveror, mori delet e saj dhe u ngjit në mal. Aty hipi mbi një gur dhe e mallkoi dimrin. Dimri, që ende nuk ishte larguar krejtësisht, u zemërua, mblodhi fuqitë e tij të fundit dhe iu hakmorr plakës duke e ngrirë me të ftohtin e tij.

Por pse kjo legjendë u përmblodh në frazën “shkundja e plakave”?

Duket se kuptimi i frazës dhe legjenda nuk kanë fare lidhje me njëra tjetrën. Duket se në pyetje është ngatërrimi i dy tregimeve mitike të ndryshme, ngatërrim i cili është pasojë e përzierjes dhe shkrirjes së miteve që ka ndodhur dhe ndodhë vazhdimisht në imagjinatën popullore.

Fraza “shkundja e plakave” duket të jetë mbetja e fundit nga mitologjitë parakristiane të Europës.

Në këto mitologji ekzistonin mitet për disa forca hyjnore që kishin kontroll mbi dukuritë e dimrit. Ato përfytyroheshin si gra të vjetra, që me lëvizjet e tyre shkaktonin stuhi dhe reshje bore. Fraza “shkundja e plakave” përputhet plotësisht me këtë mit pagan dhe parakristian. Kështu, në përfytyrimin mitik, shkundja e plakave të dimrit është veprimi i tyre i fundit, para se forcat tjera hyjnore që kontrollojnë dukuritë e verës, të marrin drejtimin e ciklit natyror të stinëve.

Komento: