Po trajtohen në QKUK katër policë të lënduar në Veri, në mesin e tyre kapiteni i Njësisë Speciale

15:26 | 13 Tetor 2021

Katër policë të lënduar në Veri po trajtohen në QKUK, në mesin e tyre kapiteni i Njësisë Speciale.

Katër policë po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas lëndimeve të marra gjatë aksionit të sotëm në Veri të vendit, shkruan Gazeta Express

Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, Ejup Govori, ka deklaruar për Express se gjendja shëndetësore e të lënduarve është stabile.

“Nuk kanë përfunduar ende ekzaminimet e të lënduarve, s’ka ende asgjë përfundimtare. Gjendja e tyre shëndetësore është e lehtë, nuk është e rëndë”, ka deklaruar Govori.

Në mesin e të lënduarve që po marrin trajtim mjekësor në QKUK është edhe kapiteni i Njësive Speciale, Besart Ahmeti.

Express mëson se ai ka pësuar lëndime në kokë, në pjesën prapa veshit.

Ndryshe, gjatë aksionit të sotëm në Veri janë lënduar gjashtë zyrtarë policor dhe një qytetar.

Policë të lënduar, granata dore e molotov, të shtëna me armë – krejt çka ndodhi sot në Veri

Aksioni i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në katër rajone të vendit, u përcoll me tensione në veri. Nga atje raportohet për sulme ndaj policëve e gazetarëve, gjuajtje me gurë e molotov, të shtëna armësh, thyerje e diegie të veturave dhe bllokim të rrugëve.

Komento: