
Mauricio Pochettino e ka cilësuar vendimin për t’u larguar nga posti i trajnerit të kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për t’u bashkuar me Manchester Unitedin si “një nga vendimet më të vështira” që ka marrë ndonjëherë në karrierën e tij.
Pochettino do ta zëvendësojë Michael Carrickun në stolin e Manchester Unitedit më 18 nëntor, pasi klubi anglez, 20 herë kampion i Premierligës, e konfirmoi emërimin e tij të premten.
Argjentinasi do t’i drejtojë fillimisht dy ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kombeve të CONCACAF-it kundër Haitit, të cilat do të zhvillohen të shtunën dhe të martën.
Të premten në mëngjes, sipas kohës lokale, ai mbajti një konferencë për media së bashku me drejtorin ekzekutiv të Federatës Amerikane të Futbollit, JT Batson, dhe presidenten Cindy Parlow Cone.
Në fjalën e tij hyrëse, Pochettino shpjegoi se marrja e drejtimit të kombëtares amerikane, së bashku me stafin e tij teknik, ia kishte rikthyer motivimin për të qenë trajner. Ai ishte emëruar në këtë detyrë pas largimit nga Chelsea në vitin 2024.
Trajneri 54-vjeçar mezi arriti t’i mbante lotët në fund të fjalimit, teksa kujtonte kohën e kaluar në krye të SHBA-së.
Megjithatë, në deklaratat e tij kishte edhe një mesazh për futbollistët e Manchester Unitedit, lidhur me atë që do të kërkojë prej tyre kur të marrë drejtimin e skuadrës në “Old Trafford”.

“Pjesërisht, është një vendim shumë i dhimbshëm. Nga ana tjetër, ne jemi profesionistë dhe duhet ta gjejmë hapin e radhës, të përpiqemi t’i bëjmë ëndrrat tona realitet. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është gjithçka që po lëmë këtu; momentet që i kemi ndarë së bashku. Gjithçka që kemi arritur dhe që kemi ndërtuar. Të gjitha standardet që i kemi vendosur së bashku dhe që i kemi ngritur në federatën tonë. Edhe në nivel ndërkombëtar”, deklaroi Pochettino.
“Po flas me zemër. Dua t’ju falënderoj shumë juve (Federatën Amerikane të Futbollit), sepse na e rikthyet motivimin. Na e rikthyet aftësinë për të stërvitur futbollistë që vërtet dëshirojnë të përmirësohen dhe të ndajnë momente të bukura, si dhe njerëz që kujdesen vërtet për federatën dhe këtë vend, të cilët dëshirojnë ta vendosin vendin dhe federatën në pozitën që e meritojnë”.
“E kemi shijuar shumë këtë përvojë. Kemi mësuar shumë nga ju, nga ky vend i mrekullueshëm dhe këta njerëz të jashtëzakonshëm. Mendoj se ky ishte një nga vendimet më të vështira në karrierën tonë”, u shpreh ai.
Pas kësaj fjalie, Pochettino, i cili dukej dukshëm i emocionuar, ndaloi për disa sekonda për ta marrë veten, përpara se konferenca të vazhdonte me pyetje drejtuar Batsonit.
Në fillim të konferencës, argjentinasi nuk foli drejtpërdrejt për Manchester Unitedin, duke theksuar se dëshiron të mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj Përfaqësueses amerikane deri në largimin zyrtar dhe udhëtimin drejt Manchesterit. Megjithatë, ai pranoi se është “i emocionuar për këtë hap përpara”.
“Kur arrin në një moment të tillë, gjithmonë është një moment i vështirë. Nuk janë vendime të lehta. Zakonisht ndodh e kundërta. Të shkarkojnë dhe ti qan sepse dëshiron të qëndrosh dhe je i mërzitur!”, tha ai.
“Siç e thashë edhe më herët, është një vendim vërtet i vështirë dhe jemi të emocionuar për hapin e radhës. Por tani nuk është momenti për të folur. Është momenti për të qenë të përkushtuar, ashtu siç kemi qenë gjithmonë. Sepse ne kujdesemi shumë dhe gjithmonë do të kujdesemi për federatën, futbollistët dhe të gjithë njerëzit këtu”.
“Duhet të përqendrohemi në dy ndeshjet e ardhshme, sepse janë shumë të rëndësishme për federatën. Futbollistët janë të jashtëzakonshëm dhe dinë si ta menaxhojnë një situatë të tillë. Është e vërtetë se nuk është ideale, por asnjëherë nuk është ideale kur ndodhin gjëra të tilla”.
“Por, ashtu si në jetë, edhe futbolli ecën shumë shpejt. Prandaj duhet të vazhdojmë përpara, ta ruajmë këtë marrëdhënie dhe të gjitha kujtimet që kemi ndarë. Mendoj se kemi bërë diçka të jashtëzakonshme. Natyrisht, kur ndodhin situata të tilla, mendoj se të gjithë njerëzit e futbollit e kuptojnë këtë”, shtoi argjentinasi.
Duke folur për procesin që çoi deri te emërimi i tij në krye të Manchester Unitedit, Pochettino tregoi se gjithçka kishte ndodhur shumë shpejt.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Ne arritëm këtu të premten e kaluar, ndërsa të dielën pasdite fillova të dëgjoj për këtë mundësi. Pati disa kontakte dhe që në fillim kemi qenë shumë transparentë me federatën. Gjëja e parë që bëmë ishte të flisnim me ta”.
“Dje, kur marrëveshja mori drejtim pozitiv, patëm një takim dhe ua komunikova vendimin futbollistëve dhe gjithë stafit. Dua t’i falënderoj, sepse më përkrahën shumë dhe e kuptuan situatën”.
“Pastaj, Federata Amerikane e Futbollit dhe Manchester Unitedi arritën marrëveshje që ne t’i vazhdojmë detyrat tona në kampin stërvitor. Kjo nuk do ta ndryshojë përkushtimin tonë dhe mënyrën se si do t’i qasemi dy ndeshjeve të ardhshme, të cilat janë shumë të rëndësishme”.
“Do të kemi kohë javën e ardhshme të flasim për punën te Manchester Unitedi. Kemi dy ndeshje përpara dhe tani fokusi ynë është tërësisht te ato”, përfundoi Pochettino.