Pogba ‘injoroi’ derbin e Italisë, ai zgjodhi të përcjellë Çmimin e Madh të Formula 1.
Paul Pogba ka ndezur polemika pasi vendosi të përcjellë Çmimin e Madh të Formula 1 në Abu Dhabi, në vend që të jetë prezent në Derby d’Italia të Juventusit me Interin.
30-vjeçari është suspenduar për më shumë se dy muaj e gjysmë, pasi rezultoi pozitiv në një test dopingu, pas fitores së Juventusit ndaj Udineses më 20 gusht.
Pogba kërkoi një test të dytë por edhe i dyti konfirmoi praninë e DHEA, një hormon që rrit prodhimin natyral të testosteronit.
Ai tani është duke përgatitur dëshmi për mbrojtjen e tij në një rast që mund të çojë në një pezullim deri në katër vite.
Siç është raportuar nga mediumi italian Tuttosport, Pogba nuk ishte në tribunat e “Allianz Stadium” në barazimin me rezultat 1-1 të Juventusit me Interin të dielën në mbrëmje, pasi në vend të kësaj ai vendosi të udhëtojë në Abu Dhabi për të parë nga afër Çmimin e Madh të Formula 1, së bashku me ish-bashkëlojtarin e tij, Patrice Evra.
Pogba iu bashkua Juventusit në korrik të vitit të kaluar si transfer i lirë nga Manchester United, por nuk ka mundur të luajë në shumicën e ndeshjeve kryesisht për shkak të lëndimeve të shumta me të cilat është ballafaquar prej se u rikthye në Itali.
Ky gjest i tij nuk është pritur aspak mirë nga tifozët e “Zonjës së Vjetër”, të cilët ishin të pakënaqur me vendimin e tij për të mos përkrahur ekipin në ndeshjen më të rëndësishme të tyre deri më tani.