Pogba po largohet nga Man Utd, ja ku e ka ëndërr të luajë

21:32 | 20 Mars 2019

Paul Pogba duket se do të largohet nga Manchester United dhe së fundi ka folur edhe për ekipin ku do të donte të transferohej.

Mesfushori francez ka nxitur spekulimet se ai mund të largohet nga “Old Trafford”, duke deklaruar se ëndërron të luajë nën urdhrat e Zinedine Zidane te Real Madridi.

Ai ka ndezur spekulimet për një largim të mundshëm nga Manchester Unitedi, pasi tha se një largim drejt Real Madridit do ishte një ëndërr, raporton Goal.com,.

Pogba është lidhur vazhdimisht me një largim të mundshëm nga Man Utd në pjesën e parë të sezonit, pasi që mesfushori kishte probleme me Jose Mourinhon.

Trajneri portugez shpesh kishte larguar yllin e Francës nga 11-shja e tij e parë, dhe ja kishte hequr titullin e zëvendëskapitenit, duke e shfaqur publikisht mosmarrëveshjen mes dyshes.

Zidane është riemëruar trajner i Realit, pasi ishte larguar nga posti në fund të sezonit të kaluar.

Pogba tani ka treguar admirimin e tij për bashkëkombësin e tij, dhe ”Mbretërit” mund të tentojnë ta transferojnë yllin këtë verë.

“Siç kam thënë gjithmonë, Real Madridi është ëndërr për secilin. Është ndër klubet më të mëdha në botë, pastaj aty është Zinedine Zidane si trajner dhe është ëndërr e secilit të luajë për të. Tani për tani jam në Manchester United, por nuk dihet se çfarë sjell e ardhmja”, tha Pogba.

Pas një kampanje dëshpëruese, madrilenët pritet të shpenzojnë shuma të mëdha në verë, me shumë emra të mëdhenj në botën e futbollit në ”radarët” e klubit.

Nga emrat më të përfolur për të kaluar në Santiago Bernabeu është ylli i Chelseat Eden Hazard, i cili njëjtë si Pogba e quajti kalimin në kryeqytetin spanjoll një ”ëndërr”.

Komento: