Santos paralajmëron ndryshime për ndeshjen ndaj Shqipërisë.
Polonia e nisi me humbje ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, pasi u mposht 3:1 nga Republika e Çekisë.
Polakët ndeshjen e dytë do ta zhvillojnë nesër mbrëma, kundër Shqipërisë. Për “Kuqezinjtë” do jetë ndeshja e para e këtij cikli kualifikues.
Përzgjedhësi i Polonisë, Fernando Santos, ka paralajmëruar ndryshime për përballjen me Shqipërinë.
“Kishte zhgënjim dhe u ndjeva i zemëruar. Megjithatë, mbështetja e tifozëve do të jetë vendimtare që ne të rifitojmë shpirtin tonë. Ne do të tregojmë se cili është karakteri ynë. Kam besim se lojtarët e kuptuan mesazhin e ndeshjes së mëparshme”, tha fillimisht ai në konferencën për shtyp sot.
“Për momentin, nuk mund të them nëse e kam 90% formacionin në kokë. Nuk do të ketë ndryshime rrënjësore, por do të ketë ndryshime”, shtoi përzgjedhësi i polakëve.
“Kam parë ndeshjet e mëparshme mes Polonisë dhe Shqipërisë. Rivalët tanë nuk kanë luajtur ende në kualifikueset e Euro 2024, ndaj nuk mund t’i shihnim në veprim. Megjithatë, i kam parë ndeshjet e mëparshme të trajnerit të tyre për të ditur se çfarë stili preferon. Duhet të jemi të fokusuar. Lojtarët tanë luajnë në skuadra të mëdha dhe ne kemi cilësinë për të luajtur mirë”, deklaroi Santos.
Ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet nga ora 20:45, në stadiumin “PGE Narodowy” të Varshavës.