Policët kufitarë, përfundojnë me sukses trajnimet nga UNDP-ja

19:01 | 04 October 2024
policet-kufitare,-perfundojne-me-sukses-trajnimet-nga-undp-ja

Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, përmes Programit për Siguri, ka përfunduar me sukses një seri trajnimesh të specializuara dhe të dizajnuara posaçërisht për zyrtarët e policisë kufitare.

Sipas një komunikate për media, trajnimet e zhvilluara janë realizuar me qëllim të ngritjes së mëtejme të nivelit të policisë në identifikimin e armëve të konvertuara dhe pjesëve të tyre po ashtu edhe për të njohur në detaje komponentët e ndryshëm të armëve, duke rritur kështu kapacitetin identifikues dhe gjurmimin e këtyre armëve si aspekt kyç për luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve dhe sigurinë e kufijve.

“Gjatë trajnimeve teknike një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe kuptimit të kornizës ligjore për kontrollin e armëve të vogla dhe armëve të lehta (AVL), e cila përfshin ligjet dhe rregulloret vendore dhe ndërkombëtare që lidhen me kontrollin e armëve, duke ndihmuar policinë kufitare të zbatojë në mënyrë efektive këto rregullore gjatë detyrave të tyre të përditshme. Këto trajnime janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar sigurinë dhe rendin publik në Republikën e Kosovës, duke kontribuar në një mjedis më të sigurt për të gjithë”.

“Policia e Kosovës është mirënjohëse dhe falënderuese ndaj shteteve që kanë mundësuar realizimin e këtyre sesioneve për avancimin e kapaciteteve, siç janë: Gjermania, Suedia, Holanda, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Bashkimi Evropian përmes Fondit MPTF për Udhërrëfyesin Rajonal për Ballkanin Perëndimor në kontrollin e AVL-ve”.

Komento: