“Polici u plagos në krah”, detaje nga sulmi ndaj Policisë së Kosovës në veri

10:38 | 09 December 2022

Incidente të shumta karakterizuan veriun e Kosovës të edhe të mërkurën, si tentativë për ta parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, 10 ditë para 18 dhjetorit.

Një polic i Kosovës është lënduar si pasojë e një sulmi që ka ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Serbovc të Zveçanit, bëri të ditur Policia mbrëmë në orët e vona.

Sipas njoftimit, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit “Audi”, ngjyrë hiri, me targa KM.

Ndërkohë, sipas raportimeve në media polici i cili i takon Njësisë së Reagimit të Shpejtë është plagosur në krah.

I njëjti ka pësuar lëndime edhe në pjesën e veshëve, pasi xhamat e veturës i kishin rënë sipër pas të shtënave.

Ky sulm ka ndodhur pak orë pasi Policia rriti praninë në komunat e veriut.

Policia e Kosovës ka njoftuar se do ta rrisë praninë e saj në veri, pas situatës së fundit të krijuar atje.

Ky institucion ka thënë se ka kapacitete për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në gjithë vendin, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë në vend.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se nuk bëhet fjalë vetëm me prezencë të shtuar në Lagjen e Boshnjakëve të Mitrovicës Veriore, por në disa lagje të kësaj komune.

“Ka të bëjë me disa lokacione të ndryshme në Mitrovicën e Veriut, në disa lagje, pra jo vec në lagjen e boshnjakëve”, theksoi Sveçla në RTK.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme para mediave foli për mundësinë e shtyerjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri, teksa tha se fillimisht për këtë çështje presin të marrin një vlerësim nga institucionet e sigurisë.

Por presidentja tha se marrja e këtij vendimi është çështje ditësh.

Në tri ditët e fundit, incidente të njëpasnjëshme ndodhën Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut.

Gjithçka nisi të martën, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.

Komento: