Aksioni policor në Prishtinë: Arrestohet një person dhe konfiskohen mbi 14 kilogramë drogë.
A.D, 41-vjeçar është arrestuar nga policia gjatë operacionit antidrogë që u zhvillua gjatë ditës së sotme në Prishtinë.
Në këtë aksion janë konfiskuar 14.5 kilogramë e llojit “Marihuanë”.
Ai u dërgua në mbajtje prej 48 orësh.
“Në ora 13:10, njësitet përkatëse policore kanë filluar një kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit: A.D., (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar). Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar rreth 14.5 kg substancë e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë. Dëshmitë e hasura në vend-ngjarje janë fotografuar nga njësia e forenzikës dhe janë tërhequr nga aty”- thuhet në njoftimin e policisë.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Hetuesit policorë nga Sektori Qendror i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, pasi kanë pranuar një informacion për trafikim të bimëve narkotike, të njëjtin informacion e kanë trajtuar në aspektin policor dhe kanë filluar hetime paraprake për të zbardhur rastin.
Sot më 13.10.2022, në koordinim me prokurorin kujdestar dhe pasi është pranuar urdhëresa nga gjykatësi i procedurës paraprake, është bërë kontrollimi i një lokacioni në Prishtinë ku dyshohej se mund të gjendej lëndë narkotike.
Në ora 13:10, njësitet përkatëse policore kanë filluar një kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit: A.D., (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar). Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar rreth 14.5 kg substancë e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë. Dëshmitë e hasura në vend-ngjarje janë fotografuar nga njësia e forenzikës dhe janë tërhequr nga aty.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti: ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe me akt-vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.