Policia arreston të dyshuarit për rastin në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë

19:26 | 05 Shkurt 2026
policia-arreston-te-dyshuarit-per-rastin-ne-lagjen-kodra-e-trimave-ne-prishtine

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka njoftuar sot se, falë reagimit të menjëhershëm, veprimeve të koordinuara operative dhe hetimeve intensive, ka arritur të identifikojë, ndalojë dhe procedojë të gjithë personat e përfshirë në një incident të rëndë që rrezikoi drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike në Vranjevc të Prishtinës.

Më 31 janar 2026, rreth orës 15:15, Policia e Kosovës ka pranuar informacione për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë. Hetimet e para zbuluan se, pas një konflikti ndërmjet dy grupe personash, situata ka eskaluar në përdorimin e armëve pranë një lokali afarist, duke krijuar rrezik të lartë për qytetarët dhe pronën publike.

Incidenti është zhvendosur më pas në një lokacion tjetër të qytetit, ku një veturë është përdorur si mjet rrezikimi ndaj personave, duke lënduar disa qytetarë. Po ashtu, dyshohet se nga vetura në lëvizje janë kryer të shtëna të tjera me armë zjarri. Në vendngjarje janë kryer ekzaminime të plota kriminalistike dhe forenzike, nga ku policia ka sekuestruar: gëzhoja dhe fragmente predhash, municion, mjete të forta, veturën e dyshuar të përfshirë në rast.

Hetimet janë zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe është iniciuar procedurë në drejtim të veprave penale:

Vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje e paautorizuar e armëve. Masat dhe veprimet hetimore të ndërmarra: Janë identifikuar dhe intervistuar të gjithë personat relevantë, janë siguruar video-incizime nga kamerat e sigurisë dhe prova të tjera materiale, janë kryer tri bastisje në lokacione të ndryshme dhe janë konfiskuar dy armë zjarri dhe prova shtesë të rëndësishme.

Poashtu janë identifikuar gjithsej pesë persona të dyshuar; njëri prej tyre, me inicialet A.T., është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa katër të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për garantimin e rendit, ligjit dhe sigurisë publike, duke deklaruar se nuk do të tolerojë asnjë formë dhune apo rrezikimi të jetës së qytetarëve./Telegrafi/

Komento: