
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar më 14 korrik 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe në bashkëpunim me njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin e dy të dyshuarve, njërin nga Shqipëria për në Kosovë, ndërsa tjetrin nga Kosova për në Shqipëri”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, të dyshuarit ishin arrestuar pasi kërkoheshin përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
Njëri prej tyre ishte i kërkuar për veprat penale “Blerje, posedim, shpërndarje e substancave narkotike dhe kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare”, ndërsa i dyshuari tjetër për përfshirje në veprën penale “Trafikim me narkotikë”.
“Të dy janë adresuar tek kompetentët për trajtim të mëtejmë sipas procedurave të parapara ligjore”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Ndërkohë, po më 14 korrik, në Prishtinë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit të Policisë së Kosovës, ka arrestuar një shtetas turk, i cili kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Malit të Zi dhe Turqisë.
Sipas njoftimit zyrtar, personi kërkohej për veprat penale “Mashtrim”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Falsifikim i dokumenteve zyrtare”.
“Me urdhër të prokurorit kompetent, i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë për të vazhduar me procedurat e tjera ligjore”, njoftoi Policia.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve kriminale.
“Qëllimi është parandalimi, hetimi dhe zbulimi i aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryerësve të veprave penale, si dhe aktivitetet tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.