
Grupi i alpinistëve “Hiking Njeri Kosova”: Policia dhe AKI-ja nuk na lejoi t’i vizitojmë Malet e Sharrit.
Grupi i alpinistëve “Hiking Njeri Kosova” ka bërë të ditur se Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës nuk i kanë lejuar që nesër t’i vizitojnë Malet e Sharrit.
Këtë e ka bërë të ditur kryesuesi i këtij grupi, Ben Islami.
“Ju informojmë se për shkak të disa problemeve në rajonin e Sharrit të Shtërpcës, vendi ku kemi pasë të shkojmë në Liqenin e Jazhnicës, HIKINGNJERI ndërron destinacion për në Liqenat të Rugovës (Pejë)”, ka shkruar Islami në Facebook, transmeton lajmi.net.
Ai ka thënë se janë njoftuar nga Policia e Kosovës dhe AKI-ja se për një kohë të pacaktuar janë ndaluar ecjet në komplet Malet e Sharrit.
“Para pak çasteve na lajmëruar Policia e Kosovës dhe AKI se për një kohë të pacaktuar janë të ndaluara ecjet në komplet bjeshkët e Sharrit. Ecjen “Hike and Sëim” do ta bëjmë në Liqenatin e bukur të Rugovës pasi tani dy liqenet janë komplet të shkrira dhe të mbushura me ujë”, ka shkruar Islami.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës i ka ndaluar vizitën në Malet e Sharrit edhe një grupi prej 120 alpinistëve nga pjesë të ndryshme të Serbisë, të cilët janë ndaluar në Brezovicë dhe nuk janë lejuar që të vazhdojnë ecjen që e kishin planifikuar për në Malet e Sharrit.
