Policia e dorëzoi në Agjencinë e Arkivave materialin që e gjeti në komunat ilegale

21:14 | 11 Shtator 2024
policia-e-dorezoi-ne-agjencine-e-arkivave-materialin-qe-e-gjeti-ne-komunat-ilegale

Agjencia shtetërore e Arkivave të Kosovës, ka bërë të ditur se ka përfunduar transferimin e materialit arkivor– pjesë e fondeve arkivore të Arkivit Ndërkomunal të Mitrovicës, që mbahej ilegalisht nga strukturat paralele ilegale në komunat: Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Në njoftimin e kësaj agjencie thuhet se materiali arkivor është pranuar/dorëzuar nga Policia e Kosovës në përputhje me procedurat e parashikuara në Ligjin Nr.08/L-111 për Arkivat dhe aktet nënligjore dhe është vendosur/deponuar në vendruajtjet e ASHAK -së.

Tutje në njoftim thuhet se në masë të madhe materiali arkivor i pranuar në ASHAK, i takon viteve 1944 deri në vitin 2000.

Procesi i pranim-dorëzimit, të këtij materiali është mbikëqyrur nga inspektorët dhe udhëheqësit e ASHAK dhe ky material mjaft voluminoz, do t’i nënshtrohet procedurave të përpunimit, rregullimit dhe digjitalizimit dhe përfundimisht, dhe siç thuhet më tej në njoftim, do t’i bashkohet fondeve arkivore sipas parimeve, kritereve dhe normave profesionale të arkivistikës.

“Megjithatë ASHAK, në përputhje me nenin 13 (paragrafi 2) të Ligjit Nr.08/L–111 për Arkivat, nga Policia e Kosovës si fondposedues (komunat ilegale nuk kanë status as të fondkrijuesit dhe as të fondposeduesit për shkak të veprimtarisë ilegale), ka pranuar materiale të prodhuara nga aktiviteti i strukturave ilegale paralele në komunat veriore të cilat, megjithëse nuk kanë vlerë të dokumentacionit zyrtar marrë parasysh që janë krijuar në kundërshtim me rendin Kushtetues të Republikës së Kosovës, mund të shërbejnë si material për nevoja hulumtuese”- thuhet në njoftim.

Komento: