Duket se rastet ku shoferët vozisin në gjendje të dehur janë shumë të shpeshta.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se po vazhdon realizimin e planeve konkreteve policore, me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafik rrugor dhe uljen e aksidenteve.
Aktualisht Policia njofton se po ndërmerren masa aktive për implementimin e planit operativ “Drejtimi i automjetit nën ndikim të alkoolit”, ku për 15 ditët e para të muajit mars janë shqiptuar 102 tiketa ndaj kundërvajtësve.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Policia e Kosovës me aktivitete të vazhdueshme operacionale në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore
Vozitja/drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit përfshinë një nga rreziqet serioze për sigurinë në trafikun rrugor.
Humbja e jetëve njerëzore si pasojë e shkaktimit të aksidenteve nëpër rrugët tona edhe gjatë këtij fillim-viti ka qenë shqetësuese.
Policia e Kosovës vazhdon angazhimin e saj në realizimin e planeve konkrete policore, që kanë për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve.
Për këtë arsye masa aktive po ndërmirren në implementimin e Planit Operativ “Drejtimi i automjetit nën ndikim të alkoolit”, ku vetëm gjatë periudhës kohore (01-16.03.2019) nga njësitet policore janë shqiptuar 102 (njëqind e dy) tiketa ndaj kundërvajtësve që kanë drejtuar automjetin nën ndikim të alkoolit, si dhe janë iniciuar 2 (dy) raste/kallëzime penale.
Po ashtu, ju njoftojmë se Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me të vetmin qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi.