
Policia e Kosovës këtë javë ka pranuar një donacion me pajisje fitnesi nga Regional Command East – KFOR, përkatësisht nga njësia KFOR 35 256TH IBCT, Camp Bondsteel, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend.
Ceremonia e dorëzimit të pajisjeve u mbajt në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, në prani të përfaqësuesve të lartë të Policisë së Kosovës dhe delegacionit të KFOR-it.
Në emër të Policisë së Kosovës, donacionin e pranoi Kolonel Taibe Canolli Brajshori, e cila shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin profesional ndërinstitucional, duke theksuar rëndësinë e këtij kontributi për ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve policorë.
Sipas Policisë së Kosovës, pajisjet e reja do të shërbejnë për përmirësimin e kushteve të trajnimit fizik për zyrtarët policorë dhe personelin në trajnim. Trajnimi fizik konsiderohet element thelbësor për rritjen e gatishmërisë operacionale, përmirësimin e performancës profesionale dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në funksion të sigurisë publike.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në avancimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, në frymën e transparencës, profesionalizmit dhe përmbushjes së misionit të përbashkët për garantimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit.