A ka apo jo agjentë serbë në Veri të Kosovës!?
Para disa ditësh, Rada Trajkoviq nga koalicioni “Liria” kishte thënë se serbëve në Kosovë po u bëhet presion nga Beogradi për ta votuar Listën Srpska në zgjedhjet e 6 tetorit. Madje Trajkoviq kishte thënë se ka informata se një grup i njerëzve të afërt me mafinë ose vetë mafia ka depërtuar te Liqeni i Ujmanit në Qendrën Ekologjike. E këto pretendime të Trajkoviqit po i hedh poshtë Policia e Kosovës.
.
Sipas Trajkoviq, frikësimi i serbëve në Kosovë po bëhet në forma të ndryshme nga Beogradi. Si një ndër tentimet e Beogradit për t’i frikësuar serbët e Veriut ajo kishte përmendur edhe ardhjen e disa personave të mafias në Kosovë.
“Fatkeqësisht, për momentin, presioni më i madh mbi serbët është duke ardhur nga Beogradi, nga disa qendra joformale, marrë parasysh që kemi informata që një grup i njerëzve i afërt me mafinë ose vetë mafia, këtë nuk e di, ka depërtuar te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës), në Qendrën Ekologjike. Sipas asaj që thonë serbët nga veriu, ardhja e atyre njerëzve është në funksion të frikësimit të serbëve”, ka thënë Trajkoviq.
Por, këto pretendime të Trajkoviq po i hedh poshtë Policia e Kosovës. Në një përgjigje për Gazetën Express, zëvendëskomandant i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Besim Hoti, ka thënë se është kontrolluar lokacioni të cilin e ka përmendur Trajkoviq dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
“Kjo është ngjarje e para 10 ditësh që ka deklaruar Rada Trajkoviç për kinse një grup që ka qenë në Zubin Potok në Qendrën Ekologjike por kjo është vërtetuar se nuk është ashtu, nuk ka qenë asnjë njeri”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq të hënën është raportuar në media se disa pjesëtarë të Agjencisë Informative të Sigurisë së Serbisë (BIA) si dhe pjesëtarë të Agjencisë për Siguri Ushtarake serbe (VBA), ndodhen në veri të Kosovës.
Hoti ka thënë se nuk kanë ndonjë informatë zyrtare për këtë.
“Nuk kemi ndonjë informacion për vendin ku është potencuar”, ka thënë Hoti.