
Policia e Shtetit ka reaguar përmes një deklarate lidhur me pjesëmarrjen e të miturve në protestat e ditëve të fundit, duke shprehur shqetësimin se një numër i konsiderueshëm fëmijësh janë ekspozuar drejtpërdrejt ndaj dhunës dhe përplasjeve me efektivët.
Policia u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë të interesohen për vendndodhjen e fëmijëve të tyre dhe të mos lejojnë që ata të përfshihen në situata që rrezikojnë jetën dhe shëndetin.
Sipas deklaratës, në disa raste të miturit janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, mes sendeve të forta, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës.
Uniformat blu shprehin gjithashtu shqetësimin për raste të dyshuara të përdorimit të të miturve në përplasje për qëllime të caktuara, duke theksuar se çdo rast i dyshuar i nxitjes apo shfrytëzimit të fëmijëve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente.
Reagimi:
DEKLARATË E POLICISË SË SHTETIT
Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të miturish në protestat e ditëve të fundit.
Në disa raste, fëmijët janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj akteve të dhunës, sendeve të forta të hedhura dhe mjeteve të përdorura nga Policia për menaxhimin e situatës.
Siguria e fëmijëve është një përgjegjësi që nuk mund të negociohet dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim.
Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor të garantojë rendin dhe sigurinë publike, duke treguar kujdes të veçantë për mbrojtjen e të miturve. Por kjo përgjegjësi u takon, para së gjithash, prindërve dhe kujdestarëve ligjorë.
Prandaj, u drejtohemi përsëri prindërve me një apel të qartë:
Dijeni ku janë fëmijët tuaj! Mos lejoni që ata të ekspozohen ndaj dhunës dhe situatave që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.
Nëse fëmija juaj mungon në shkollë, interesohuni ku ndodhet. Asnjë fëmijë nuk duhet të gjendet mes gurëve, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës.
Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit shpreh shqetësimin e thellë për raste të dyshuara të përdorimit të të miturve në vijën e parë të përplasjeve, duke i ekspozuar ata ndaj rrezikut për qëllime të caktuara.
Përdorimi i fëmijëve si mburojë për akte dhune nuk është ushtrim i së drejtës për protestë. Është një veprim i papranueshëm që cenon sigurinë dhe të drejtat e tyre.
Çdo rast i dyshuar i nxitjes, organizimit apo shfrytëzimit të të miturve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente, në përputhje me ligjin.
Policia e Shtetit respekton dhe garanton të drejtën e protestës paqësore, përfshirë të drejtat e të miturve, por do të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e tyre.
Fëmijët nuk janë mburojë e askujt dhe nuk mund të kthehen në instrumente të përplasjeve për qëllime të caktuara.
Asnjë kauzë nuk vlen më shumë se jeta dhe siguria e një fëmije.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubime të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Ndaloni dhunën ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve dhe pronës publike e private! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të miturve. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin.