Policia jep detaje për operacionin “TOTO”, në mesin e të arrestuarve për fajde dhe detyrim edhe një polic

22:52 | 05 Tetor 2022

Vazhdon operacioni policor “TOTO”, në mesin e të arrestuarve për fajde dhe detyrim edhe një polic.

Policia e Kosovës bashkë me Inspektoratin Policor të Kosovës ka realizuar sot një operacion të gjerë të koduar me emrin “TOTO”.
Ky operacion është realizuar me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Gjykatës Themelore në Gjakovë, e si tillë është realizuar në disa lokacione.

Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar disa persona të dyshimtë, në mesin e tyre edhe një zyrtar policor.

Të arrestuarit dyshohen për fajde, detyrim dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

“Operacioni i lartcekur ka për qëllim zbatimin e Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren për arrestimin e personave të dyshuar (përfshirë edhe një zyrtar policor) dhe kontrollin e disa lokacioneve (Prizren, Prishtinë, Malishevë, Suharekë) . Hetimi është duke u zhvilluar mbi bazën e dyshimit se nga të dyshuarit në këtë rast janë kryer vepra penale të Fajdes, Detyrimit dhe Organizimi i Skemave Piramidale dhe Bixhozit të Paligjshëm”,thuhet në njoftimin për media.

Tutje është theksuar se deri më tani janë kontrolluar disa lokacione dhe janë arrestuar disa persona të dyshimtë, ndërsa në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e parave, disa vetura, telefona mobil, armë dhe municion.

“Pasi që operacioni është ende në zhvillim e sipër detajet shtesë do të ofrohen pas përfundimit të operacionit policor përmes një komunikate shtesë”.

Komento: