Policia jep detaje rreth aksionit të gjerë në klubet e natës në Klinë

19:13 | 15 August 2019

Policia ka zhvilluar një aksion të gjerë në klubet e natës në Klinë.

Mbrëmë Policia e Kosovës në zonën e Klinës ka zbatuar planin operativ të koduar “Kontrollimi i lokaleve 2019”.

“Stacioni policor në Klinë së bashku me inspektorët komunalë kanë verifikuar disa lokale në komunën e Klinës dhe gjatë inspektimit janë kontrolluar të gjitha klubet e natës, disko-baret si dhe lokalet e tjera në këtë qytet. Gjatë këtij plani janë identifikuar 5 (pesë) lokale apo klube nate të cilat ishin duke mos e respektuar orarin e punës, të njëjtat janë mbyllur nga inspektorët komunalë.”, thueht në raportin zyrtar të policisë nga Rajoni i Pejës.

Në këtë aksion janë legjitimuar 13 persona, që dyshohet të kenë qenë punëtorë në këto lokale.

Gjatë realizimit të këtij plani Njësia për Reagim të Shpejtë DRP në Pejë, ka hasur në disa vetura të dyshimta, dhe gjatë kontrollit rutinor në njërën nga veturat është gjetur dhe konfiskuar një armë (pistoletë) e llojit ‘M 57’ kal. 7.62x25mm, dhe 5 copë fishekë të të njëjtit kalibër.

Ndërkohë një e dyshuar femër me inicialet V.K. K/shqiptare, pas intervistimit në konsultim me prokurorin e shtetit është liruar në procedurë të rregullt.

“Në këtë plan kanë qenë të përfshirë Stacioni Policor në Klinë dhe inspektorët komunalë të komunës së Klinës, të përkrahur nga Njësia për Reagim të Shpejtë të DRP-së në Pejë dhe Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore”, thuhet në raportin e Policisë.

Komento: